KAKAVIJË- Aksi rrugor Kakavijë–Janinë do të jetë i bllokuar i sot, nga 18:00 deri në orën 22:00. Policia Kufitare Greke në Kakavijë njoftoi një ditë më parë fashën e orarit, ndësa bëri me dije se do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet me emergjenca shëndetësore.
"Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se më datë 30.11.2025, nga ora 18:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore. Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës", thuhet në njoftimin e policisë.
Ky veprim vjen për shkak të protestës së fermerëve greke, të cilët sipas mediave greke, protestojnë për të shprehur pakënaqësinë ndaj politikave qeveritare dhe presioneve ekonomike që hasin në sektorin bujqësor.
Pjesëmarrja e fermerëve pritet të jetë masive, ndërsa sindikatat dhe koordinatorët lokalë po bashkëpunojnë për të koordinuar aksionet në të gjithë Greqinë. Protestat kanë për qëllim të kërkojnë politika më të favorshme për bujqësinë dhe përmirësim të kushteve ekonomike për fermerët./ZËRI