KAKAVIJË- Aksi rrugor Kakavijë-Janinë do të bllokohet edhe sot për rreth 4 orë për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët. Bllokimi do të nisë nga ora 19:00 deri në orën 22:00, ndërsa do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.
Njoftimi:
Kakavijë/ Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në fshatin Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.
Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.
Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.
Protestat e fermerëve në Greqi pritet që të zgjasin deri në datën 5 Dhjetor, ndërkohë që prej 3 ditësh ata kanë bllokuar kalimin në shumë akse të rëndësishme rrugore në shtetin helen. Fermerët protestojnë ndaj pagesave të vonuara, mungesës së dëmshpërblimeve, kostove të larta të prodhimit dhe çmimeve të ulëta të produkteve bujqësore./ZËRI