KAKAVIJË- Festat e fundvitit kanë shtuar fluksin e lëvizjeve në pikat kufitare, në të cilat regjistrohet një numër i lartë hyrje-daljesh. Në doganën e Kakavijes janë marrë masat për evitimin e radhëve të pritjes dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Janë shtuar sportelet dhe numri i punonjësve të Policisë, veçanërisht në Pikat e Kalimit Kufitar me Greqinë dhe në pikat e tjera me fluks të lartë.
Ndërkohë, drejtues të strukturave të Policisë Kufitare dhe Policisë së Rendit kanë inspektuar zbatimin e masave të përcaktuara në planin e posaçëm për fundvitin. Mësohet se janë në komunikim të vazhdueshëm me palën greke për përpunimin e fluksit të shtuar përgjatë periudhës të festave të fundvitit.
Fluksi i lëvizjeve pritet të jetë i lartë deri në ditët e fundit të vitit, kur jo vetëm emigrantët, por edhe turistë të huaj zgjedhin Shqipërinë për festat e fundvitit. Bëhet me dije se është shënuar një rritje e qarkullimit ndërkufitar rreth 10.5% krahasuar me vitin e kaluar gjatë kësaj periudhe.
Lidhur me këtë, Efektivët e Shqiponjave, Reneas dhe Forcës Kombëtare do të jenë në gadishmëri për t’ju përgjigjur situatave./ZËRI