
DURRËS- Një nga jahtet më luksoze në botë, në pronësi të miliarderit gjerman Reinhold Würth, është ankoruar në portin e Durrësit. Pas ndalesës në Durrës, jahti do të vazhdojë udhëtimin drejt Dubrovnikut, në Kroaci.
Superjahti “Vibrant Curiosity”, me një gjatësi prej 85 metrash, flamur të Maltës dhe i ndërtuar nga kompania elitare holandeze Oceanco, ndodhet në Durrës për një ndalesë teknike, ku do të kryejë furnizim me naftë. I ndërtuar në vitin 2009, ky jaht luksoz është vlerësuar në 150 milionë dollarë dhe ka udhëtuar në të gjithë botën.
Jahti Vibrant Curiosity ka një ambient mbresëlënës të projektuar nga Nuvolari Lenard dhe Azure Naval Architects. Jahti mund të akomodojë deri në 18 mysafirë në 9 suita. Gjithashtu ka një ekuipazh prej 26 personash të cilët janë të përkushtuar për t'u ofruar mysafirëve nivelin më të lartë të shërbimit.
Një nga karakteristikat më të spikatura të Vibrant Curiosity është pishina e saj e madhe. Pishina ndodhet në kuvertën kryesore dhe është 7 metra e gjatë. Kjo pishinë mbresëlënëse është vendi ideal për mysafirët që të relaksohen dhe të marrin diell, ndërkohë që shijojnë pamjet e bukura të oqeanit. Jahti ka disa sallone dhe zona ngrënieje, palestër, spa dhe sauna të pajisur plotësisht, duke u lejuar mysafirëve të qëndrojnë në formë dhe të relaksohen gjatë qëndrimit të tyre në bord.
Reinhold Würth, 90 vjeç, është një nga sipërmarrësit më të fuqishëm në Evropë, themelues i koncernit global "Würth Group", që operon në fushën e materialeve industriale dhe ndërtimit. Në vitin 1954, në moshën 19 vjeç, ai mori përsipër biznesin e shitjes me shumicë të vidave të babait të tij dhe e shndërroi atë në Grupin ëürth, i cili shënoi 19.9 miliardë euro (21.68 miliardë dollarë amerikanë) shitje në vitin 2022.
Që nga vitet 1960, Würth ka mbledhur vepra arti. Koleksioni përmban më shumë se 18,300 vepra, të specializuara në artin e krijuar nga fundi i shekullit të 19-të deri më sot. Ai është i martuar, ka tre fëmijë dhe jeton në Künzelsau, Gjermani. Forbes vlerësoi pasurinë neto të Würth në 33.6 miliardë dollarë, duke e bërë atë personin e 45-të më të pasur në botë./ZËRI