
LUSHNJE- Dyer, dritare dhe orendi përtokë, këto janë pamjet e një banese të shkatërruar si pasojë e shpërthimit të fuqishëm që tronditi Lushnjen pasditen e sotme. Siç shihet edhe në foto, në banesë evidentohen dëme të shumta materiale, çka shpjegon faktin se shpërthimi është ndjerë rreth zonës dhe ka prekur gjithashtu edhe bizneset pranë magazinës.

Çfarë dimë deri më tani?
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:05 në vendin e quajtur "Rrethrrotullimi i Plasmasit" në një kapanon në punim e sipër. Pak minuta pas vinçierit Landi Verçani (Hoxha), ka humbur jetën dhe djali i tij 20 vjeç Elidon Hoxha. Shpërthimi i fuqishëm ka ndodhur pasi telat e tensionit të lartë janë këputur aksidentalisht nga një vinç dhe kanë rënë mbi depozitat e gazit, të cilat furnizonin disa biznese. Të plagosur kanë mbetur 7 persona të tjerë, mes tyre deputeti socialist Bujar Çela, nënkryetari i Bashkisë Elton Korreshi. Dy prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë./ZËRI