
STRASBURG – Autoritetet në Francë i kanë hapur rrugën ekstradimit të Behar Bajrit në Shqipëri. Ai do të mbërijë në Tiranë, brenda ditës së sotme. Bajri pritet që të zbarkojë në pistën e Rinasit në orën 10.00, e më pas do të dërgohet në ambientet e Komisariatit brenda territorit të aeroportit. Më pas, do të dërgohet në një nga institucionet e vuajtjes së dënimit në Tiranë në pritje të seancës që do të caktojë Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku edhe do të njihet me masën e sigurisë dhe akuzat që rëndojnë mbi të.
Aktualisht, ndaj tij është caktuar masa e sigurisë "arrest me burg" për 5 vepra penale, mes së cilave dhe vrasja e pjesëmarrja në grup kriminal.
Behar Bajri u arrestua në muajin shtator në një lokal të Strasburgut, pasi ishte shpallur në kërkim për llogari të dosjes “Metamorfoza”. SPAK i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë të gjitha aktet e dosjes, ku përfshihen prova ndaj Bajrit dhe veprat për të cilat akuzohet.
Bajri, duke qenë në Francë, ka kërkuar azil në këtë shtet. Franca dhe Belgjika i kanë vendosur në dispozicion SPAK-ut, prova të bisedave të Bajrit dhe personave të tjerë në hetim, që zhvillonin në aplikacionin SkyEcc. Në këto biseda flitet për vrasjen e Gjin Boriçit në Vaun e Dejës dhe tentativave për vrasje të Kleanth Musabelliut, Dorian Dulit, Genc Tafilit apo Ibrahim Licit. Në komunikime del dhe emri i biznesmenit Pëllumb Gjoka, që u arrestua po në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Behar Bajri në dosjen “Metamorfoza” akuzohet si organizator i vrasjes së Gjin Boriçit për llogari të të zhdukurit Ervis Martinaj, sigurimin e personave për vrasjen e mbetur në tentativë të Kleanthi Musabelliut, për llogari të biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe porositës i vrasjeve që nuk u kryen asnjëherë të Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Ibrahim Licit.
Të gjitha këto ngjarje, Behar Bajri i organizoi e planifikoi pas daljes nga burgu me masë të lehtësuar arresti, të firmosur nga prokurori Xhevahir Lita, i arrestuar pasi dyshohet se përfitoi 30 mijë euro për këtë nder.
Skeda kriminale e Behar Bajrit është e pasur. Ai dyshohet se më 2002 ka vrarë bashkëshorten Fabiola Bajri vetëm 16 vjeçe. Mbi të rëndojnë dhe vepra penale të tjera të rënda penale, si vrasja, vjedhja me armë dhe grabitja, të kryera kryesisht në qytetin e Shkodrës. /Zëri.ai/