
FIER- Këtë të enjte është organizuar në Prefekturën e Fierit një dëgjesë publike në lidhje me Planin e Integruar të Menaxhimit të Lumit Vjosa. Të pranishëm ishin përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM), përfaqësues lokalë dhe banorë të zonave ku kalon lumi Vjosa. Drejtoresha e Përgjithshme e AKZM, Daniel Pirushi, tha për mediat se tashmë ka një dokument të përfunduar mbi Planin e Integruar të Menaxhimit të lumit Vjosa dhe se tashmë mund të nisë zbatimi i tij. Ajo shtoi se gjatë takimit të sotëm u prezantua një diagramë e thjeshtëzuar për të të kuptuar se çfarë lejohet dhe çfarë jo.
Daniel Pirushi: Keni dy lajme të bukura për të dhënë; Përfundimi i Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut Kombëtar Vjosa që do të thotë tani kemi një dokument përfundimtar për ta zbatuar, ndërkohë që lajmi tjetër është se Ministria e Mjedisit dhe Agjencia e Zonave të Mbrojtura po aplikojmë për një program të UNESCO që është “Njeriu dhe Biosfera” dhe që bën zgjerimin e filozofisë, por edhe territoreve të Parkut dhe ku në qëndër është njeriu në natyrë. Ne prezantuam një diagramë sa më të lehtë për tu kuptuar me qëllim njohjen e asaj se çfare lejohet dhe cfarë jo, që ta kuptojnë të gjithë përdoruesit.
Banorët e zonave përgjatë brigjeve të lumit Vjosa u shprehën të shqetësuar në lidhje me dokumetacionin e pronësisë së tokës që mungon në pjesën më të madhe për shkak të problemeve me ndarjen e tokave. Ndërsa zyrtarët lokalë thanë se ky plan do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të zonës falë atraksioneve turistike. Pas dëgjesave në Prefekturat e Fierit, Vlorës dhe Gjirokastrës, drafti do të jetë gati për tu hedhur në Konsultim Publik për të gjithë qytetarët./ZËRI