
TIRANË- Komisioneri Shteteror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi vendosi dërgimin për hetim të thelluar në Prokurorinë e Përgjithshme kryebashkiakun socialist të Bashkisë së Libohovës, Leonard Hide. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së zhvilluar ditën e sotme.
“Në kuadër të verifikimit paraprak të kushteve të kandidimit të këtij kandidati, sipas përcaktimit të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, si dhe vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit, KQZ ka kërkuar informacion nga zyra e gjendjes gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB). Në përgjigje të kësaj kërkese të KQZ, DPB informon se kandidati në fjalë nuk është i dënuar me vendim penal të formës së prerë”,-thuhet në vendim.
Po ashtu, nga verifikimi i të dhënave në formularin e vetëdeklarimit të kreut të bashkisë Libohovë, rezulton se nuk ka deklaruar asnjë të dhënë që ka të bëjë me parashikimet e ligjit të dekriminalizimit. Pavarësisht të gjitha këtyre hetimeve paraprake, një ankesë nga Partia Demokratike e Shqipërisë ka vënë sërish në lëvizje Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Subjekti zgjedhor ‘Partia Demokratike e Shqipërisë' me anë të shkresës nr. 1297, datë 16.05.2024 informon KQZ-në se z. Leonard Vyrtyt Hide është hetuar nga SPAK dhe dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme.. ‘pasi dyshohet se në kohën që ka pasur detyrën e shefit të seksionit të Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës, ka lejuar përkundrejt përfitimit kultivimin e bimëve narkotike'”, thuhet në raportin e KQZ.
Leonard Hide, kryebashkiaku i Libohovës akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre në kohën kur ka qenë shef krimesh në komisariatin e Gjirokastrës. SPAK e akuzon Hidën për shpërdorim detyre, gjatë kohës që ka qenë shefi i krimeve në komisariatin e Policisë së Gjirokastrës. Kjo pasi Prokuroria e Posaçme ka dyshime se në kultivimin e drogës në disa zona të ndryshme të Gjirokastrës, të kenë qenë të implikuar punonjës policie.
Hida është zgjedhur kryetar bashkie në Libohovë nga radhët e Partisë Socialiste, në zgjedhjet e 14 Majit të vitit të kaluar. Kujtojmë se vetë Hide është shprehur se kur ka kandiduar për postin e kryetarit të bashkisë, nuk ka qenë në dije të hetimit që po zhvillohej ndaj tij. Madje ai ka thënë se nëse do të jetë e nevojshme, do të japë dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut, në mënyrë që të përballet me drejtësinë./ZËRI