Aktualitet

"Gërdeci'/ 11 dëshmitë që "kryqëzuan" Mediun në Gjykatë, çfarë thanë familjet e viktimave

Në GJKKO, i pari që doli para trupës gjykuese ishte Feruzan Durda, bashkëshorti i Zamirës. Ai tha se ditën e shpërthimit ishte në punë kur mësoi se një shpërthim i kishte marrë jetën të birit. 

Fjola Graçi
"Gërdeci'/ 11 dëshmitë që
Fatmir Mediu

TIRANE- Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes gjatë kohës që ndodhi shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec, 15 mars 2008, është marrë zyrtarisht i pandehur. Prokuroria e Posaçme, SPAK ka nisur dje procesin për Mediun, duke zhvilluar edhe seancën e parë gjyqësore. Në seancë, ish-ministri mungoi, ndërsa përballë familjeve të viktimave të shpërthimit ishin avokatët e tij. 

Por çfarë dëshmuan dje në gjykatë dëshmitarët dhe familjarët? Burrë e grua, Feruzan e Zamira Durda, prindërit e fëmijës 7 vjeç që vdiq teksa ishte duke luajtur me kushërinjtë, Drita Cani, Alketa Hazizi, Fejzi Shehu, Elidon Durda, Mustaf Laçi, Hekuran Kasa, Koli Hazizaj dhe Hekuran Deliu ishin dëshmitarët e parë që folën përballë prokurorit të çështjes, Klodian Braho. 

Në GJKKO, i pari që doli para trupës gjykuese ishte Feruzan Durda, bashkëshorti i Zamirës. Ai tha se ditën e shpërthimit ishte në punë kur mësoi se një shpërthim i kishte marrë jetën të birit. 

Edhe bashkëshortja e tij, Zamira Durda, foli për masakrën dhe tha se më 15 mars të vitit 2008 në momentin kur ndodhi ngjarja i biri ishte duke luajtur. Në gjykatë, ajo kishte marrë me vete edhe 2 fletore të klasës së parë të djalit të saj dhe i kërkoi llogari gjyqtarëve pse këto fletore ishin bosh. Zamira iu kërkoi që "vendimi të shkruhet po aty". 

E pyetur nga avokati mbrojtës i Mediut, Ardian Visha, Zamira tha se nuk ka asgjë personale me të. 

Avokati: Pse i jeni qepur ish-ministrit Mediu?

Zamira Durda: Gërdeci është krim shtetëror dhe përgjegjësi ka e gjithë piramida e shtetit. Nuk kam gjë personale me Fatmir Mediun. Gjeni fajtorët.

Avokatët e ish-ministrit replikuan me çiftin Durda dhe në momentin kur Feruzani dha dëshminë. Ata e pyetën pse ata nuk kishin deklaruar se djali i tyre më i madh, 15-vjeçar punonte në fabrikën e demontimit, asokohe i mitur. Por ky fakt u kundërshtua nga familja. 

Më pas, gjykata u njoh edhe me dëshminë e Drita Canit, e pranishme në fabrikë në momentin kur ndodhi shpërthimi. Cani tha se kishte punuar pa kontratë të rregulltë pune, ndërsa procesi i demontimi bëhej nga ajo dhe familjajrët e saj. 

Drita Cani: Kam punuar në fabrikën e demontimit të armëve, në qershor 2007 kam nisur. Kam punuar për 4-5 muaj. Ditën e shpërthimit nuk kam qenë në punë, pasi isha operuar dhe atë ditë në vendin tim ishte goca. Aty kam punuar unë, djali dhe bashkëshorti. Nuk kemi pasur kontrata pune, kishim vetëm një përgjegjës me emrin Vangjel. Ne na kishte punësuar një person me emrin Dritan. Municioni vinte me makina të ushtrisë. Unë me familjarët e mi merreshim me çmontimin e predhave. Ne i shkarkonim nga kamionët hapnim arkat dhe më pas me mjete të ndryshme si sqeparë dhe dalta i hicnim diabolat dhe me çekiç bënim nxjerrjen e barutit. Pasi bëhej ndarja predhat largoheshin me fadroma ndërsa baruti futej në thasë dhe dërgohej tek magazina.

Avokatët: çfarë bëhej me barutin dhe çfarë mban mend nga dita e shpërthimit? 

Drita Cani: Se di çfarë bëhej me barutin, por sipas asaj çfarë më ka thënë goca flaka ka nisur tek dera e magazinës ku dërgohej baruti. Ishte punë e rrezikshme, por ne besonim tek shteti se shteti na solli atje, rregulla në punë nuk kishte, nuk na kanë kërkuar dokumente kur kemi nisur punë. Fatmir Mediun se kam parë kurrë dhe as ushtarakë. 

Edhe dëshmitarja tjetër, Alketa Hazizaj foli për çmontimin e armëve në fabrikë dhe tha se fabrika nuk kishte asnjë kusht sigurie. Si e mban mend ajo shpërthimin? 

Alketa Hazizi: Kam punuar për disa muaj, nga shpërthimi më ka humbur jetën vjehërri. Nuk kishim kontrata pune dhe nuk kishim bërë trajnime se si bëhej çmontimi i armëve. Në fillim bashkë me burrin dhe vjehrrin e kemi nisur duke çmontuat fishekë dhe më pas kemi kaluar tek predhat. Procedura ishte e njëjtë i çmontonim me çekiçë u hiqnim diabolën dhe më pas predhat merreshin me fadromë ndërsa baruti futej në thasë dhe dërgohej në magazinë. E gjithë fusha ishte e mbushur me barut, nuk e kuptova nga dolën flakët vetëm kam dëgjuar të bërtiturat, flakë, ngrita kokën dhe pashë që flaka ishte tek thasët e barutit. Flakët ishin të larta dhe nuk kishim mundësi që ta shuajmë. Më pas të gjithë kemi tentuar që të largohemi me vrap që të shpëtojmë.

Ne i mbushnim thasët me barut dhe i transportonim me karroca, dëgjova ulërimat, aty kam parë flakët, isha në distancë gati 10 metra nga flakët. Zjarri ishte në pjesën e poshtme të fabrikës. Unë njoh vetëm Dritan Minxollin dhe Vangjelin. Duke ikur kam shkelur dhe viktima, në afërsi të portës kryesore jam rrëzuar, e shikoja që po merrja flakë por nuk mund të largohesha kam pasur 32% të trupit të djegur. Fatmir Mediun se kam parë as e njoh. Aty kam parë një person tjetër emri s’më kujtohet. 

Dëshmitë e tjera vijuan për të përmbyllur me rrëfimin e rojes zëvendësues të fabrikës së Gërdecit, Fejzi Shehu.  Fejzi Shehu, i cili shërbeu si roje zëvendësues në fabrikë në kohën kur ndodhi shpërthimi, tha se ditën e ngjarjes, ishte në punë. 

Fejzi Shehu: Kam punuar në fabrikë me 14 dhe 15 mars. Isha roje tek porta kryesore e fabrikës së demontimit aty futeshin punëtorët dhe dilnin kamionët. Ditën e shpërthimit isha në punë, tek porta kryesore dhe më erdhi një femije i një personi që kërkonte t'i jepte ushqimin të ëmës. Qesen e mora unë dhe jam futur brenda deri tek porta e dytë, aty pashë flakën pranë  një karrocë dhe njerzit filluan të bertisnin për shkak të barutit flaka u përhap me shpejtësi dhe ika me vrap. Më pas aty kam mësuar se bëheshin saldimet e karrocave të dorës nga Qemal Deliu. Kam parë Qemalin që atë ditë ka dal dy tre herë jashtë për të salduar karroca dhe të gjitha levizjet bëheshin  me lejen e përgjegjësit. Emrin e tij Qemalit e kam mësuar pas shpërthimit sepse nuk e njihja pasi kisha vetëm dy ditë qe punoja në fabrikë.

Çmontimi i armëve pa asnjë kusht sigurie

15 vite nga ngjarja e rëndë, dëshmitë e dëshmitarëve dhe ish-punonjësve të Gërdecvit tregojnë sesi punësimi ishte informal, demontimi i predhave dhe i fishekëve bëhej pa asnjë standart sigurie, por me mjete të kudogjendura si pinca apo sqeparë. Dëshmitarët treogjnë sesi baruti kalohej me thasë dhe karroca për të mbushur konteinerët. Të gjithë ata që kishin punuar pohuan se nuk kishin asnjë veshje mbrojtëse apo trajnim për një punë me një rrezik të shtuar. 

Si ra zjarri që solli shpërthimin tragjik me 26 viktima? 

Dëshmitarët thanë se gjithçka ndodhi shpejt. Versioni më i përafërt nga Alketa Hazizi apo Fejzi Shehu tregon se zjarri ka rënë në një karrocë që ishte e mbushur me thasë me barut. Përpara shpërthimit, Fejzi Shehu tregoi se kishte parë karrocën që të shkonte për saldim te shtëpia e Qemal Deliut. Po kjo dëshmi u rrëzua nga djali i Qemalit që thotë se atë ditë, babai nuk kishte salduar asnjë karrocë por ishte në shtëpi duke punuar vreshtin. 

Klimë tensioni në gjykatë

Seanca e 18 tetorit nuk ishte një seancë e qetë. Gjyqtarja Irena Gjoka iu kërkoi avokatëve të Mediut të bëjnë kujdes me pyetjet dhe mënyrën e parashtrimit, ndërsa disa nga pyetjet i hodhi poshtë duke iu kërkuar edhe dëshmitarëve që të mos japin përgjigje. 

Pas 11 dëshmitarëve të parë, lista e dëshmitarëve është e gjatë dhe përfshin edhe djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. Pritet që Berisha të pyetet për dijeninë e tij për aktivitetin e fabrikës së demontimit në Gërdec. 

Nga ana tjetër, pas 12 vitesh, Fatmir Mediu merret si i pandehur, pasi SPAK deklaron se me ndryshimet ligjore ai nuk ka më imunitet dhe mund të hetohet. Ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet për “Shpërdorim detyre", Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim, “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues për shpërthimin në "fabrikën" e demontimit të armëve ku u vranë 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB