TIRANË- Gjyqi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediut për çështjen e Gërdecit është shtyrë sërish, ndërsa seanca e radhës është vendosur që të mbahet më 3 tetor. Shkak për shtyrjen është bërë kërkesa e avokatit të familjarëve të viktimave, Dorjan Matlia, i cili në seancën e sotme kërkoi më shumë kohë nga trupa gjyqësore për t'u njohur me materialet dhe me listën e dëshmitarëve që janë kërkuar.
Po ashtu, ai kërkoi si dëshmitar të paraqitet edhe ish-kreu i bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili.
Ndërkohë, prokurori Arben Kraja u shpreh kundër listës me 90 dëshmitarë të Mediut, pasi sipas tij Mediu akuzohet për një fakt penal konkret dhe jo për procesin e demontimit në përgjithësi.

Edhe avokati Matlia ndau të njëjtin mendim me të duke u shprehur se të akuzuar kishin si synim të zvarrisnin procesin. Nga ana e tij, avokati i familjarëve të viktimave ka paraqitur një listë me 12 dëshmitarë.
Lista me dëshmitarë që kërkon mbrojtja e familjarëve të viktimave:
Spiro Zaka
Shpëtim Spahiu
Fiqiri Ismaili
Zija Bahja
Kristaq Arapi
Flamur Skrapalliu
Efraim Diveroli
David Packouz
Lavdi Shatro
Fiqiret Mato
Luan Duzha
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre. Rihapja e hetimeve ndaj Mediut nisi pas kërkesës së familjes Durda, të cilët humbën djalin 6-vjeç në këtë tragjedi. Më parë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi pranimin e familjarëve të viktimave të Gërdecit si palë në procesin kundër ish-ministrit Fatmir Mediu. 26 persona humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një baze ushtarake më 15 mars të vitit 2008./Zëri.ai