
TIRANË- Bruceloza, një sëmundje ngjitëse e shkaktuar nga kafshët e infektuara që njihet ndryshe edhe si ethe undulante, ethe e Maltës apo ethe mesdhetare, por futet në Shqipëri përmes Greqisë. Emisioni “Vetting” në Neës24 ka vënë në dukje lidhjet e firmave importuese të gjedhëve dhe bagëtive të imëta me drejtues të lartë të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë që po mundësojnë sjelljen e gjedhëve të infektuara në Shqipëri, në një kohë që ato deklarohen si të groposura në Greqi. Të paktën dy raste, shërbimi veterinar publik ka zbuluar se gjedhët kanë qenë të infektuara me sëmundjen e Brucelozës, ç’ka hedh dyshimin se kemi të bëjmë me trafikimin e bagëtive që në shtetin fqinj deklarohen si të groposura. Dhe ky trafikim gjedhësh të infektuara tashmë rrezikon edhe një pjesë jo të vogël të bagëtive në të gjithë vendin.
Plani për evidentimin e kontrabandës së gjedhëve dhe zbulimin e autorëve është krijuar fillimisht nga zyra e Drejtorisë Veterinare dhe Mbrojtjes së Bimëve Rajonale Elbasan, me urdhër të ish Drejtorit Fatmir Ozuni. Ka qenë një nga veterinerët e caktuar nga ish Drejtori Ozuni, Baki Myrtollari, i cili ka zbuluar dhe ka marrë masa ndaj tregtarëve të importit të kafshëve të gjalla, të cilët sillnin gjedhë, dele dhe dhi të pamatrikulluara nga Greqia dhe Bullgaria.
“Në kontratën e punës në këtë zonë që kam marrë është që të bëjë, identifikimin, matrikullimin dhe çertifikimin e kafshëve që lëvizin në këtë terren. Krahas kësaj detyre me urdhër të drejtorit të Qarkut të Elbasanit, Fatmir Ozuni është që të bëj edhe kontrollin e vijave kufitare, kryesisht të brezit të gjelbër të Qarkut të Korçës. Ne kemi detyrën parësore dhe kjo më bëri që të punoj me zjarr, me vullnet të fortë të hekurt në luftën kundër kontrabandës së kafshëve që vijnë nga Greqia.”, tha për “Vetting” veterineri Baki Myrtollari.
Sipas ekspertit të shërbimit të mjekësisë veterinare, Prof. Xhelil Kolecit, historikisht sëmundja ka qenë e përhapur në pjesën e jugut të Shqipërisë, në kufi me Greqinë dhe Maqedoninë, por tani është e përhapur në të gjithë Shqipërinë.
“Momentalisht kam disa raste në Qarkun e Peshkopisë, të Elbasanit dhe Gramshit,”- thotë Koleci.
Sipas ekspertit Koleci, në rastin e kafshëve të infektuara, si në rastin e Brucelozës, duhen zbatuar procedura strikte për therjen dhe konsumin e mishit, pasi ndryshe ato mund të kthehen në burime të forta infektimi.
“Mishi nga kafshët që rezultojnë pozitive me brucelozë, mishi i tyre jepet me kusht që të zihen mirë, pra nëse gatimi bëhet i mirë, me përpunim të mirë, edhe nëse është e kontaminuar, zierja e bën të sigurtë produktin që vjen nga kafsha,”- shton ai.
Emisioni Vetting ka zbardhur dhe skemën e importimit nga Greqia të bagëtive për të cilat ka dyshime se kanë qenë të infektuara me brucelozë dhe në vend të groposjes janë sjellë në Shqipëri përmes falsifikimit të certifikatave të tyre. E gjitha kjo kryhet përmes lidhjeve mes importuesve të mishit dhe zyrtarëve, në rastin konkret mes Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), Rolandi Meçaj, dhe Petro Shukullit, një nga personat që ka thyer karantinën e kafshëve të importuara nga Greqia.
Në dokumentet e publikuara shihet se ekziston një listë e gjatë e personave të përfshirë në kontrabandën e bagëtive në qarkun e Korçës, por asnjërit prej subjekteve nuk i është hequr licenca e importit të kafshëve të gjalla.
Sipas “Vetting” ka zbuluar se Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), Rolandi Meçaj ka lidhje shoqërore me Petro Shukullin, një nga personat që ka thyer karantinën e kafshëve të importuara nga Greqia.
Dhe në foton e publikuar nga “Vetting” shihet drejtori i AKVMB-së, Rolandi Meçaj duke drekuar me disa persona, ku midis tyre gjendet biznesmeni Petro Shukulli, një nga blegtorët, që ka marrë subvencione nga shteti për krerët e bagëtive.

Por Petro Shukulli është gjobitur nga Shërbimi Veterinar Korçë për thyerjen e karantinës së kafshëve të gjalla, por deri më sot nuk ka patur probleme nga AKVMB-ja.
Nga dokumentet zyrtare rezulton se më 1 maj 2024, Petro Shukulli ka importuar 20 krerë bagëtish nga Greqia, në pikën doganore të Kakavijës nga personi Golias Charisis me adresë Faskomilia, Thesprotias. Pas importit, këto bagëti janë vendosur në karantinë, sipas ligjeve në fuqi, me afat 21 ditë. Por në 11 maj 2024 Petro Shukulli ka thyer karantinën në fshatin Shamoll në Bulgarec, ku kompania e tij “AFA” shpk është gjobitur me 25 mijë lekë ose 250 euro nga inspektori Demirali Latollari.
Në listën e personave të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm gjenden edhe Maksi Malo, Aleksandëri Limka, Olsi Limka e shumë persona të tjera që janë gjobitur. Megjithatë nga lista e gjatë e personave të gjobitur, 9 persona i janë referuar Prokurorisë së Korçës dhe nga zyra e AKVMB-së për rajonin e Elbasanit janë vendosur 15 gjoba ndaj personave apo kompanive të ndryshme.
Çfarë është bruceloza?
Bruceloza është njohur tek kafshët dhe njerëzit që nga fillimi i shekullit të 20-të. Speciet e brucelozës funksionojnë si parazitë intraqelizorë fakultativë, duke shkaktuar sëmundje kronike, që zakonisht vazhdojnë gjatë gjithë jetës. Simptomat janë: djersitja, ethet dhe dhembjet muskulore. Kohëzgjatja e sëmundjes mund të ndryshojë nga disa javë në shumë muaj apo edhe vite. Simptomat gastrointestinale ndodhin në 70% të rasteve dhe përfshijnë të përziera, të vjella, ulje të oreksit, humbje peshe të paqëllimshme, dhimbje barku, kapsllëk, diarre, një mëlçi e zgjeruar, inflamacion i mëlçisë, absces i mëlçisë dhe një shpretkë e zgjeruar. Katër specie infektojnë njerëzit: B. abortus, B. canis, B. melitensis dhe B. suis . B. abortus është më pak virulent se B. melitensis dhe është kryesisht një sëmundje e bagëtive. B. canis prek qentë. B. melitensis është specia më viruse dhe invasive që zakonisht infekton dhitë dhe herë pas here delet. B. suis është virulencë e ndërmjetme dhe kryesisht infekton derrat.
Bruceloza është i përhapur më shumë në Portugali, Izrael, Siri dhe Jordan. Pasojat e infeksionit Brucella janë shumë të ndryshueshme dhe mund të përfshijnë artrit, trombocitopenia, meningjitin, uveitis, pezmatim nervi optik, endokardit, dhe çrregullimeve të ndryshme neurologjike të njohur kolektivisht si neurobrucellosis.
Bruceloza është rishfaqur në Shqipëri këtë vit në një fermë me gjedhë në bashkinë e Memaliajt. Sëmundja zonoze që ka qenë tradicionalisht prezente në qarkun e Gjirokastrës shënoi vatrën e parë për këtë vit me 5 krerë të infektuar nga rreth 40 që ka tufa. Kampionet e gjakut u konfirmuan si pozitive edhe nga ISUV.
Megjithatë, kreu i shërbimit veterinar megjithatë njoftoi se situata nuk përbën rrezik për popullsinë pasi rasti është i izoluar dhe nën kontroll.
Vitin e kaluar në të gjithë qarkun u regjistruan 4 zona të infektuara me brucelozë por rastet lidhen kryesisht me ferma të vogla me numër të kufizuar krerësh. 28 fermat e gjedhëve që furnizojnë me qumësht punishtet dhe konsumatorët rezultojnë të pastra. Qarku i Gjirokastrës, qarku më i madh blegtoral në vend ka të matrikulluar rreth 260 mijë krerë të imëta dhe 12 mijë gjedhë, përveç shtesës periodike vjetore.
Çfarë shkruajnë mediat greke?
Më datë 3 korrik,në mediat greke u raportua për katër raste të konfirmuara me brucelozë tek banrët e zonës malore të komunës Zacharos, në Ilia. Dy prej tyre fillimisht shkuan në Qiparisia për analiza në një laborator mikrobiologjik dhe më pas në spitalin e Kalamatës, nga ku morën mjekime të forta për trajtimin e sëmundjes.
Çfarë tha një nga pacientët
Një nga personat foli për mediat vendase dhe theksoi nevojën për marrjen e masave në njësitë blegtorale, për të kufizuar rrezikun e një përhapjeje të re të sëmundjes në popullatën njerëzore.
“Kisha simptoma të temperaturës për një kohë të gjatë dhe prandaj bëra analizat dhe zbulova se kisha marrë brucelozën. Pas mjekimit që kam marrë jam më mirë, por mikrobi ka nevojë për vëmendje, sepse mund të rikthehet. Tani lodhem shumë më shpejt. Ajo që dua të theksoj është që të merren masa për të kufizuar problemin, sepse është çështje e shëndetit publik dhe ekonomisë. Nëse do të përhapet në më shumë tufa, do të kemi një fatkeqësi ekonomike”, theksoi ai.
Çfarë duhet të dini për brucelozën?
Këshilla të dobishme për mbarështuesit
1) Shmangia e lëvizjeve të paligjshme të kafshëve.
2) Izolimi i kafshëve të sapoardhura, të paktën për një muaj.
3) Shmangia e shkëmbimeve të kafshëve mashkullore të patestuara për çiftëzimin.
4) Përdorimi i dorezave në trajtimin gjatë lindjes së kafshëve.
5) Shkatërrimi i materialeve të abortit (placenta, fetusi i vdekur etj.).
6) Pastrimi dhe dezinfektimi i zonave dhe mjeteve që bien në kontakt me mbetjet.
7) Zonë e veçantë për lindjet dhe laktacionin e amnoerifis.
8) Bashkëpunimi me Autoritetet Veterinare për zbatimin korrekt të programeve (hetimet e abortit, vaksinimet dhe marrja e mostrave të gjakut nga kafshët) në baza vjetore.
Si transmetohet?
Nëse ka kafshë të infektuara në fermë:
nga kontakti me qumështin dhe lëngjet e trupit që rrjedhin prej tyre,
duke konsumuar qumësht të papasterizuar,
duke konsumuar djathra shtëpiak të prodhuar nga qumështi i papasterizuar ose që nuk janë pjekur për kohën e kërkuar.
Kush mund të infektohet?
blegtori, veteriner, kasap, punëtorë laboratori, punëtorë thertore, qytetarë të thjeshtë që konsumojnë produkte qumështi dhe turistët.
A ka një kurë te njerëzit?
Po, me një regjim afatgjatë të antibiotikëve!
A ka një kurë për kafshët?
Jo, kafshët prodhuese pozitive janë të ndaluar të aplikojnë çdo trajtim dhe dërgohen për therje brenda 30 ditëve!/ZËRI.