
DEVOLL- Një emigrant i paligjshëm është gjetur i vdekur mëngjesin e kësaj të diele në kufirin me Greqinë. Raportohet se viktima është i kombësisë siriane, rreth 40 vjeç. Dyshohet se vdekja të ketë ardhur për shkaqe natyrale pasi në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune.
Ai është gjetur nga banorët e zonës, në fshatin Trestenik të Devollit, afër me kufirin grek. Deri më tani nuk dihen rrethanat e ngjarjes, por raportohet se vdekja mund të ketë ardhur nga i ftohti. Policia ka ngritur një grup hetimor dhe po punon për identifikimin e viktimës. Trupi është dërguar në morg ku pritet të bëhet dhe ekspertiza mjeko-ligjore.
NJOFTIMI I POLICISË:
Më datë 12.11.2023, rreth orës 07:10, në pyllin e fshatit Trestenik, Devoll, është gjetur pa shenja jete nga banorët e zonës, një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 40 vjeç, i cili nga të dhënat e para dyshohet se mund të jetë emigrant i paligjshëm.Nga këqyrja paraprake e trupit të tij, nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se vdekja mund të jetë shkaktuar për shkaqe natyrale. Trupi i pajetë do të dërgohet drejt morgut, ku pritet përgjigjja e ekspertizës mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Grupi hetimor, po punon për identifikimin e viktimës si dhe për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./Zëri.ai