
TIRANË- Ministri grek për Mbrojtjen e Qytetarëve, Johanis Ikonomu ka mbërritur në Shqipëri për të zhvilluar një takim me kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Ky i fundit ndodhet në ambientet e spitalit të burgut të Durrësit, i arrestuar për blerje votash për zgjedhjet e 14 majit 2023. Vizita e ministrit te Brendshëm me kreun e zgjedhur të Bashkisë Himarë, vjen pasi gjykata vendosi një ditë më parë nisjen e gjykimit të dosjes së Belerit. Por pas përfundimit të takimit me Belerit, Ikonomu nuk bërë asnjë prononcim për mediat.
Tashmë Beleri do të përballet me drejtësinë si zyrtarisht i pandehur, në seancën e radhës e cila do të mbahet ditën e hënë, më 18 shtator.
Arrestimi i Fredi Belerit më 12 maj me akuzën e korrupsionit në zgjedhje dhe mbajtja e tij në paraburgim ka sjellë acarim në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Për çështjet e Belerit është angazhuar edhe qeveria greke e cila e quan arrestimin të paligjshëm e politik. Pala greke, përveçse është angazhuar me telefonata dhe takime me diplomatët shqiptarë, nuk i ka kursyer as adresimet publike ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë fushatës elektorale "shënjestroi" kandidatin e koalicionit opozitar "Bashkë Fitojmë" për Himarës. Disa ditë pas sulmeve të Ramës, u bë edhe prangosja e Belerit, duke bërë që pala greke të gjente një lidhje mes dy ngjarjeve. Sipas Athinës zyrtare, kreu i qeverisë shqiptare do një të besuar të tij në Himarë për të shitur pronat e minoritetit grek, ndërsa Rama ka reaguar disa herë zyrtarisht duke u shprehur se nuk ka asnjë ndikim tek drejtësia, ndërsa ka hequr dhe një paralele me një operacion të zhvilluar në Greqi, ku gjatë zgjedhjeve disa persona u prangosën për shitblerje vote. Megjithatë kërkesa e kreut të qeverisë shqiptare nuk është përfillur nga homologu i tij, Kyriakos Mitsotakis. Tensionet arritën kulmin kur kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis kërkoi në një takim informal në datën 21 gusht liderët e Ballkanit Perëndimor, por ftesa për Shqipërinë nuk nuk erdhi kurrë tek Rama, por tek presidenti Bajram Begaj.
Ndërkohë që çështja është ende në gjyq, Greqia po ushtron një presion në rrugë diplomatike, duke kërcënuar se do të pengojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, me pretendimin se nuk respekton minoritetet. Duke marrë parasysh situatën e krijuar, Departamenti Amerikan i Shtetit ka dërguar një tjetër mesazh autoriteteve shqiptare në lidhje me rastin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Beleri, ndërsa kërkonin një proces të rregullt. Për të cilin, në një intervistë për mediat greke, Rama u shpreh se i tillë do të jetë, pa harruar të shtojë se ndërhyrja e vetme, vjen nga Greqia./Zëri