
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e ish-Kryetares së Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj. Ndaj saj është vendosur 'shuarja' e masës së sigurisë ndaj saj. Kjo e fundit, u vendos nën masën e sigurimit ndalues “pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, vendosur në mars 2024.
Njoftimi i GJKKO:
1. Kërkuesja Rajmonda Balilaj më datë 26.07.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Deklarimin e humbjes së fuqisë së masës së sigurimit të caktuar me vendimin nr.19 datë 08.03.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, verifikuar me vendimin nr.30 datë 21.03.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe heqjen e menjëhershme të saj”, baza ligjore neni 262/2 dhe 267/2 i K.Pr.Penale.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Flora Hajredinaj dhe Erjon Çela me vendimin Nr.466, datë 29.07.2024, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj të pandehurës Rajmonda Balilaj nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.19 datë 08.03.2024.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brënda 5 (pesë) ditëve, afat i cili fillon të llogaritet nga e nesërmja e marrjes dijeni lidhur me vendimin e arsyetuar.