
TIRANË- Gjykata e Tiranës ka vendosur 6 muaj urdhër mbrojtje për Princ Lekën dhe Elia Zaharinë ndaj njëri-tjetrit. Në seancë u paraqitën vetëm avokatët e dy palëve, të cilët paraqitën dhe akteksperizat për dhunën e pretenduar. Të dy, si Princ Leka si Elia Zaharia, me vendim të gjyqtarit Artan Hajredinaj janë pajisur me urdhër mbrojtje ndaj njeri-tjetrit për një afat kohe 6 muaj dhe distanca që duhet të mbajnë nga njeri-tjetri është 5 metra.
Elia Zaharia do qendrojë në pallatin mbretëror, Princ Leka do e takojë vajzën në prani të kujdestares. Seanca e sotme e orës 13:00 u zhvillua në vijimësi të seancës së 21 marsit, e cila u shty për mosparaqitje nga mbrojtja e Zaharisë të aktekspertizës që vërtetonte shenja dhune ndaj saj. Ndërkohë Princ Leka është i pajisur me urdhër mbrojtje për 1 vit me distancë 100 metra ndaj ish-vjehrrit të tij Gjergj Zaharia, ndërsa ky i fundit nuk duhet të jetojë në pallat.
Princ Leka dhe Elia Zaharia kanë paditur njëri-tjetrin për dhunë në polici, pasi dyja palët janë përplasur më datë 5 mars, kur princi ka shkuar tek shtëpia për të takuar vajzën e tyre të mitur. Pas përplasjes Leka ka denoncuar dhe babanë e Elias, Gjergj Zaharia, pasi sipas tij është fyer dhe dhunuar fizikisht nga ish-vjehrri./ZËRI