VLORË- Vrasja e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, më 9 shtator 2011, vijon të mbetet pa autorë. Për të 14-in vit radhazi, familjarët e tij u kërkojnë nstitucioneve që të zbardhin krimin. Familjarët bëjnë apel që të rihapet menjëherë dosja për të cilën kërkojnë transparencë publike si dhe arsyet se përse çështja mbetet e pazgjidhur. Familja kërkon gjithashtu përfshirjen e ekspertizës ndërkombëtare për hetime të paanshme si edhe rikthimin për hetime nga SPAK.
SPAK që shpalli mos kompetencën dhe ia kaloi prokurorisë lokale hetimet për vrasjen makabre të gjyqtarit të Vlorës, e cila ia delegoi Prokurorisë së Fierit, edhe kjo prokurori ka pezulluar hetimet. Siç raporton Top Channel, familjarët e gjyqtarit të vrarë, shpreh shqetësimin dhe indinjatën për vrasjen e pazbardhur të familjarit, një atentat që e konsiderojnë një akt kriminal që përfaqëson jo vetëm goditjen ndaj një individi, por edhe ndaj sistemit të drejtësisë. Për këtë, ata i kanë dëguar një e-mail SPAK-ut.
Në kërkesën e tyre, ata kërkojnë nga SPAK, si institucioni kryesor në luftën kundër krimit të organizuar, që ta rikthejë këtë dosje në prioritet të tij. Ata shkruajnë se kujtimi i gjyqtarit Konomi nuk mund të mbetet thjesht një përvjetor i radhës dhe se nuk mund të pretendohet ndërtimi i një drejtësie të re, nëse krimet ndaj përfaqësuesve të saj mbeten të pazbardhura.
Më tej, ata shtojnë se gjyqtari, Skerdilajd Konomi u vra sepse kishte guximin të kërkonte të drejtën e tij, duke theksuar se ai nuk ishte i përfshirë në asnjë çështje korruptive.
“Institucioni i SPAK-ut është ngritur me qëllimin për të hetuar pikërisht raste ku krimi, korrupsioni, përfitimi i padrejtë dhe ndikimi mbi drejtësinë kanë bashkëjetuar në dëm të qytetarëve dhe shoqërisë. Nëse SPAK nuk merret me çështje si kjo, atëherë përse ekziston? Kërkojmë nga SPAK, si institucioni kryesor në luftën kundër krimit të organizuar, që ta rikthejë këtë dosje në prioritet të tij. Po ashtu, i bëjmë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme, Policisë, KLP dhe KLGJ që të bashkëpunojnë ngushtë për një hetim të thelluar. Sot pas 14 vjetësh pritjeje, frikë dhe heshtje, ne si familjarë kemi vetëm një pyetje për ju. A do të guxojë ndonjëherë drejtësia shqiptare të përballet me të vërtetën, sado e hidhur apo e rrezikshme të jetë ajo?. Ai u vra sepse kishte guximin të kërkonte të drejtën e tij, pronat e trashëguara familjare, të cilat i fitoi përmes një procesi të rregullt gjyqësor”., thonë familjarët në kërkesën e tyre.
Gjyqatari Skerdilajd Konomi u ekzekutua me shpërthim të telekomanduar në mes të Vlorës, 9 shtator 2011, por që ende drejtësia për të cilën punonte, nuk ka dënuar askënd. Konomi, 33 vjeç ushtronte detyrën si gjyqtar i Shkallës së Parë në Vlorë. Makina e babait të dy fëmijëve shpërtheu nga një eksploziv i telekomanduar, ndërsa Konomi ishte në timon në bulevardin Vlorë - Skelë. Edhe pse shumë qytetarë u afruan për të dhënë ndihmën e parë, po kështu edhe zjarrfikëset, ishte shumë vonë. Gjyqtari ndërroi jetë. Çështja e tij u mor në përgjegjësi të Krimeve të Rënda në Tiranë, por ende autorët e krimit mbeten të pazbuluar. Pista bazë deri më tani mbetet ajo e ekzekutimit për pronat në Hamallaj të Durrësit, plot 275 hektarë, për të cilat gjyqtari po kërkonte pronësinë për familjen e tij./ZËRI