Aktualitet

Goditi me qytën e pistoletës pronarin e lokalit dhe kërcënoi 2 persona, arrestohet pas disa orësh kërkimesh i riu në Kavajë

Gjatë tentativës për t’u larguar, 28-vjeçari hodhi armën e zjarrit, e cila u gjet gjatë kontrollit të Policisë dhe u sekuestrua.

I.F
Goditi me qytën e pistoletës pronarin e lokalit dhe kërcënoi
Pamje nga arrestimi

TIRANË- Një 28-vjeçar është arrestuar nga Policia, pasi kërcënoi dy klientë në një lokal dhe goditi në kokë me qytën e pistoletës pronarin e lokalit. Si pasojë e goditjes 64-vjeçari ka marrë lëndime të lehta. Gjatë tentativës për t’u larguar, 28-vjeçari hodhi armën e zjarrit, e cila u gjet gjatë kontrollit të Policisë dhe u sekuestrua.

Policia bën me dije se gjatë aksionit, 28-vjeçari humbi kontrollin mbi drejtimin e makinës dhe u përplas me trafikndarësen dhe me një automjet tjetër.

Më pas, ai braktisi automjetin dhe u largua nga vendi i aksidentit. I riu u arrestua pas disa orësh kërkimesh nga Policia.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë morën njoftim, rreth orës 09:40 të ditës së sotme, se një shtetas i armatosur kishte hyrë në një bar-kafe në lagjen nr. 2, në qytetin e Kavajës, ku kishte kanosur klientët dhe kishte goditur me qytën e pistoletës pronarin e lokalit. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në adresën e dhënë, por shtetasi i armatosur, për t’i shpëtuar Policisë, ishte larguar me shpejtësi me automjet dhe, gjatë largimit, kishte dëmtuar edhe një automjet të parkuar. Shërbimet e Policisë u vunë në ndjekje, duke koordinuar veprimet me Forcat Operacionale të DVP Durrës. Gjatë ndjekjes, si pasojë e shpejtësisë së lartë, shtetasi i armatosur humbi kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe u përplas me trafikndarësen dhe me një automjet tjetër. Më pas, ai braktisi automjetin dhe u largua nga vendi i aksidentit. Shërbime të shumta të Policisë vijuan kontrollet në zonë. Pas disa orësh kërkimesh, duke përdorur dhe metodat speciale të hetimit, Forcat Operacionale të DVP Durrës bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasi 28 vjeç, banues në Kavajë, person me precedent kriminal në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje”, njofton Policia./ZËRI

Poll

MOS HUMB