
SHKODËR- Hetuesit kanë zbardhur skemën sesi gjeorgjiani Kakha Joua, 40 vjeç, dhe 2 të tjerë, mashtruan kambistin në pikën e këmbimit valutor në Shkodër, më 9 gusht. Ata arritën të grabisnin 140 mijë euro. Gjeorgjianët ishin prezantuar si shtetas ukrainas dhe kërkonin prerje 500 euroshe në pikën e këmbimit valutor. Pas marrjes së parave, ata i numëronin, i mbyllnin në një zarf dhe i fshihnin në çantën e tyre.
Kur kambisti këmbëngulte për verifikimin e parave, ata i jepnin një zarf tjetër që përmbante një tufë parash. Por vetëm kartmonedha e parë dhe e fundit ishin të vërteta, ndërsa pjesa tjetër jo. Kështu e pësoi edhe kambisti në Shkodër.
Më 9 gusht, pronari i një pike këmbimi valutor në Shkodër, denoncoi në Komisariatin e qytetit se kishte rënë pjesë e një skemi mashtrimi nga disa të huaj. Policia nisi hetimet dhe u zbulua se autorët ishin me kombësi gjeorgjiane. Autoritetet shqiptare në bashkëpunim me ato turke arritën që të identifikonin dhe të arrestonin në aeroportin e Stambollit Kakha Joua, të cilit iu gjetën 7500 euro me vete, ndërsa vijon puna për kapjen e dy autorëve të tjerë të përfshirë në këtë skemë.
Po në qershor të këtij viti, e njëjta skemë ndodhi edhe në Elbasan. Sërish dy gjeorgjianë përdorën të njëjtën skemë dhe grabitën 40 mijë euro nga një pikë këmbimi./ZËRI