Aktualitet

Grabitja e parave në banesën e Klosit, Gjykata pranon kërkesën për gjykim të shkurtuar

Klosit i është komunikuar akuza e “Refuzimit për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”. Ajo dyshohet për fshehje të parave dhe një apartament

E.K
Grabitja e parave në banesën e Klosit, Gjykata pranon
Alda Klosi dhe Rozeta Dobi

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Alda Klosit, Havier e Rozeta Dobit për gjykim të shkurtuar, në lidhje me grabitjen e ndodhur në banesën e ish-shefes së kabinetes së Arben Ahmetajt. Në datën 19 Mars, Prokuroria e Tiranës pritet që të japë dhe konkluzionet përfundimtare për të gjithë të pandehurit.

Klosi, ish-shefe e kabinetit të ish-zëvendësministrit Arben Ahmetaj akuzohet për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë para OPGJ. Ndërkohë sanitarja Rozeta Dobi dhe i biri Havier Dobi akuzohen për veprën penale të vjedhjes me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim. Për Alda Klosin hetimi pasuror është veçuar dhe po vijon hetimi paralelisht në Prokurorinë e Tiranës.

Ish-zyrtarja e Ministrisë së Financave u prangos, pasi sanitarja Rozeta Dobi, deklaroi se shumën prej 500 mijë eurosh e kishte marrë nga banesa e Alda Klosit. Skandali u zbulua disa muaj më parë pasi në pranga ranë nënë e bir, Rozeta dhe Havier Dobi. Ata u kallëzuan për vjedhje nga Alda Klosi.

Më pas gjatë një përgjimi ambiental në policinë e Tiranës u zbuluan se në tubin e aspirimit në banesën e Rozeta Dobit ndodheshin rreth 500 mijë euro.

Gjatë përballjeve mes tyre, Rozeta Dobi pretendon se të gjitha paratë i ka marrë në banesën e ish-zyrtares ndërsa Klosi ka pranuar pronësinë e 120 mijë eurove dhe 30 mijë dollarëve për të cilat ka dorëzuar edhe dokumentat përkatëse për justifikimin e tyre. Në banesën e sanitares u gjetën edhe disa sende me vlerë disa prej tyre ishin të Alda Klosit ndërsa për disa të tjera ende nuk dihet se kujt i përkasin. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB