
TIRANË- Merjem Lumi, një teologe islame që kishte një mori ndjekësish në rrjetet sociale, ku predikonte disa deklarata herë edhe kundra rrymës për fenë, ka vendosur që të tërhiqet nga prania e saj online. Në disa story që ka postuar në rrjetet sociale, Lumi ka deklaruar se do të tërhiqet nga predikimet në rrjetet sociale, pasi shumë prej deklaratave të saj ishin bërë virale, dhe kishin shkaktuar përplasje dhe me imamin Ahmed Kalaja.
Lumi është një prej grave të pakta teologe në Shqipëri, ndërsa një prej deklaratave që ka shkaktuar një mori reagimesh në rrjet, ka qenë ajo për ndarjen e një gruaje nga bashkëshorti i saj, pasi nuk ishte aq i bukur sa shokët e tij.
Ndërkohë të tjera deklara të saj ishin ato që lidheshin me predikimet e njëjta që sipas saj bëjnë teologët fetarë. Në komente të shumta që ndjekësit kanë bërë në faqen e Ahmed Kalasë, thuhet se Lumi merrte para nga besimtarët e tjerë, e madje me paratë e tyre, kishte blerë dhe shtëpi.
Në vendimin për t’u larguar nga rrjetet sociale, dhe më pas për të mbyllur të gjitha kanalet e saj, Lumi shkruan: Unë në fakt kisha pak kohë që e mendoja largimin, siç e ceka në video, por me gjithë këtë që ka ndodhur, sikur të isha më e keqe se faraoni, që ka thënë: Unë jam Zoti juaj lart. Nuk dua të vazhdojnë kolegër e mi rë më përmendin lart e poshtë e të lodhen. Le të merren me misionin e tyre në përhapjen e të vërtetës. Dhe shpresoj që t’i afrojnë njerëzit me Zotin, i uroj suksese në punën e tyre.
Merjem Lumi ka lindur në Korçë dhe është rritur në Durrës. Në moshën trembëdhjetë vjeçare zgjedh të konvertohet në islam nga ortodokse praktikante dhe vendosë hixhabin. Menjëherë, vendosi të udhëtojë drejt Damaskut, ku ka kryer studimet e mesme dhe të larta./ZËRI