Aktualitet

"Mendim UNIK KRIMINAL"/ Zbërthehet SKEMA e MCA dhe FINAL, Prokuroria nuk llogarit dot dëmin: Qytetarëve iu zhvatën dhjetra MILIONË euro

Nga verifikimet e deritanishme, rezulton se Prokuroria ka rënë në gjurmët e një ambienti ku janë dokumenta të reja që do t'i shërbejnë hetimit që ka nisur. 

k.m.
"Mendim UNIK KRIMINAL"/ Zbërthehet SKEMA e MCA dhe FINAL,
Foto ilustruese

TIRANË- "Skemë mashtruese me mendim unik kriminal", në këtë përfundim ka dalë Prokuroria e Tiranës lidhur me dy prej kompanive që zhvatën qytetarët me kreditë e këqija që u jepnin. Si rrjedhojë, me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, Micro Credit Albania dhe Final, të dyja janë vendosur nën sekuestro. MCA ka mbi vete vetëm veprën penale të "mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”; por “Final" përveç të akuzës që ndan me MCA, akuzohet edhe për "pastrim të produkteve të veprës penale". Megjithatë, deri më tani, nga Prokuroria e Tiranës nuk jepen sqarime se paratë e kujt janë "pastruar" përmes kësaj kompanie që tashmë është nën sekuestro.

Nga hetimet, Prokuroria ka dalë në përfundimin se MCA dhe Final, duke bashkëpunuar me shoqërinë "ADCA" dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore kanë krijuar një skemë mashtruese për të zhvatur qytetarët. Duke qenë se nuk e përllogarisin dot mashtrimin ndaj qytetarëve, Prokuroria thotë vetëm se qytetarëve u janë vjedhur dhe zhvatur "10-tra milion euro", por një shifër konkrete nuk e kanë. Të gjitha këto prona dhe para që u janë marrë qytetarëve, këto kompani i kanë investuar ose i kanë përdorur për aktivitete të tjera.

Por si janë zhvatur qytetarët?

Prokuroria ka dalë në përfundimin se punonjës të këtyre kompanive, në bashkëpunim me përmbaruesit: kanë përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve/debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme (numrat e telefonit, të vetat apo të familjarëve dhe të dhëna të gjendjes civile, punësimi etj): përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet telefona të vazhdueshme( dhe jo vetëm) me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive; përdorur gënjeshtrën që konsostente në përllogaritjen e një detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore; sekuestrimin e llogarive bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik, madje dhe pa ndonjë afat kohor; Kryer sekuestrimin e pronave të paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur; dhe Kanë “shitur/kaluar” në pronësi të MCA, pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë në ankande fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave, prona të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive.

Mashtrimin, presionin e të gjitha mjetet e lartpërmendura nga Prokuroria janë përdorur nga këta mashtrues për të detyruar debitorët që të merrnin kredi të reja në këto institucione me principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta. Për t'i bindur, qytetarët i gënjenin se vetëm në këtë mënyrë do të shlyenin kredinë ekzistuese. Ndryshe nga sa ndodh gjithmonë, në çdo njoftim që sjell Prokuroria për raste të ngjashme, kësaj herë, zhvatjen nuk e përllogarit dot për shkak se është ose në para, ose në prona, ose të dyja bashkë janë të riinvestuara. Ndaj përllogarit një dëm që sipas organit hetues arrin në 10-tra milion euro.

Në lidhje me mashtrimin me mikrokreditë, janë lënë në masën e sigurisë "arrest shtëpie": Elda Ibro, Jorsida Dervishi, Alketa Tanushi e Kejda Seferi, ndërsa në burg janë: Arben Meskuti, Aldo Daka, Albert Gega dhe Edmond Mato. Në kërkim është ende Alban Kote.

Krijuan skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve, Prokuroria Tiranë sekuestron shoqëritë Micro Credit Albania dhe Final

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkon vendosjen e sekuestros preventive mbi kuotat dhe asetet/aktivet (pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, tituj pronësie etj) të: Personit juridik - Micro Credit Albania, i dyshuar për  kryerjen e veprës penale “Mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 143/3; Person juridik - “Final" i dyshuar për  kryerjen e veprës penale “Mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 143/3 (më shumë se një herë), “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë Kriminale” të  kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni  287/2 të Kodit Penal.

Nga hetmet, rezultoi se shoqëritë tregtare MCA dhe Final, në bashkëpunim me Shoqërinë ADCA dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore, por edhe me ndihmën e një eksperte vlerësuese, duke pasur që në fillim të ushtrimit të aktivitetet të  tyre (aktivitetit të  blerjes dhe mbledhjes së kredive të këqija) mendimin unik kriminal, kanë krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve që aktualisht përllogaritet në miliona Euro.

Shoqëritë dhe personat nën hetim  në mënyrë abuzive kanë: Përdorur të  dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve/debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme (numrat e telefonit, të vetat apo të familjarëve dhe të dhëna të gjendjes civile, punësimi etj); Përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e  debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet  telefona të vazhdueshme( dhe jo vetëm) me  qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive; Përdorur gënjeshtrën që konsostente në përllogaritjen e një detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore; Sekuestrimin e llogarive bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik, madje dhe pa ndonjë afat kohor; Kryer sekuestrimin e pronave të paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur; dhe Kanë “shitur/kaluar” në pronësi të MCA,  pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë në ankande  fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave, prona të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive. 

Të gjitha veprimet e sipërcituara janë kryer me qëllim për të shtrënguar dhe detyruar debitorët për të marrë kredi të reja me vlerë principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta, duke gënjyer që po “ristrukturojnë  të vjetrën” apo për të paguar detyrime në vlera të fryra që nuk mbështeteshin në vlerat fillestare të urdhrave ekzekutues të dala nga gjykatat. Si rrjedhojë shoqëritë MCA dhe Final kanë përfituar të ardhura dhe pasuri të paligjshme, të cilat ua kanë vjedhur dhe zhvatur qytetarëve, që përllogariten në 10-tra milion Euro sipas mënyrës së sipërcituar, para dhe prona të cilat i kanë investuar apo përdorur në aktivitete të tjera.

Nga analiza e sipërcituar rezulton në procedimin penal 2123 të vitit 2020 janë administruar të dhëna të mjaftueshme nga të cilat krijohet dyshimi i arsyeshëm se pasuritë e shoqërive të sipërcituara  janë produkt i veprës penale “Mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 143/3, e për rrjedhojë krijohen dyshime se disponomi i këtyre pasurive mundet që të rëndojë apo të zgjasë më tepër pasojat e veprës penale apo mundet që të lehtësojë kryerjen e veprave të tjera penale, si dhe  konsiderohen  pasuri që duhet të konfiskohet.

Si u zbulua skandali?

Prej disa muajsh tashmë, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në këto zyra. Këto institucioneve përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve kredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë? SPAK duhet t’i japë një përgjigje!/ZËRI

Poll

MOS HUMB