
TIRANË- Silva Bino, shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP ka hedhur poshtë mundësinë që fëmijët në Gramsh të jenë helmuar nga veza. Në një postim në rrjetet sociale, Bino ka ‘sulmuar’ gazetarët për lajmet, teksa i quan injorantë për raportimet në lidhje me këtë rast. Referuar një lajmi për mbylljen e kopshtit, ajo shton se AKU nuk mbyll kopshtet por analizon ushqime.
“Injoranca nuk ka brire. Gazetat shkruajne Helmimi i fëmijëve nga vezet me salmonelë, AKU mbyll kopshtin në Gramsh. E para, AKU nuk mbyll kopshtet por analizon ushqime dhe këto analiza që të kenë vlerë duhet të merren me mend aty ku duhet në bashkëpunim, gjë që AKU nuk e bën kurrë pasi ne nuk ekzistojmë për të, i dinë vetë.
Nga vjen dhe ku është burimi i infeksionit dhe si po shkon ai, nuk e përcakton as AKU as inspektoratet, por e përcaktojnë strukturat e shëndetit publik që duhet të kenë specialistë të trajnuar për këtë. Meqë ra fjala, ka kaq shumë struktura dhe degët e tyre sa nuk dihet me kë të flasësh ne këtë lëmsh.
Se për model për sigurinë ushqimore nuk morëm atë italian me të cilin kishim ngjashmëri (para viteve ’90) dhe na përshtatet, por atë nordik me të cilin nuk kemi asnjë lidhje. Dhe sa për dijeni, fëmijët nuk hanë vezë të gjalla dhe një kokërr veze me salmonelë nuk mund të jetë burimi i infeksionit. Kaq për sot,”- shkruan Bino.