Aktualitet

Hetimet e SPAK/ Si Astrit Avdylaj dhe Emiljano Shullazi tentuan të vrasin nga burgu vëllezërit Bami

Avdyli ndodhej pas hekurave bashkë me Emiljano Shullazin, kreun e bandës së Rrugës së Kavajës, në momentin që zhvillonte biseda me Ervis Martinajn, i cili rezulton i zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit të vitit 2022.

F.I
Hetimet e SPAK/ Si Astrit Avdylaj dhe Emiljano Shullazi tentuan të vrasin
Emiljano Shullazi, Durim Bami dhe Astrit Avdyli

TIRANË-Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për 14 të pandehur, që akuzohen si pjesë e grupeve të strukuruara të përfshira në ngjarje kriminale të ndodhur në vend, ndërsa është zbardhur roli i secilit prej tyre. Mes tyre edhe një tentativë për vrasjen e Durim dhe Valter Bamit.

Sipas SPAK, të pandehurit Astrit Avdyli, Emiljano Shullazi, dhe Blerim Abazi nga janari deri në korrik 2020, si dhe Naim Stafuka gjatë gushtit 2020, kanë bashkëpunuar në sigurimin e mjeteve për të kryer vrasjet e Durim dhe Valter Bamit. Hetimet kanë dokumentuar aktivitetin e tyre kriminal, të zhvilluar në kuadër të një grupi të strukturuar.

Astrit Avdyli akuzohet për 'sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes së Durim Bamit dhe Valter Bamit', 'pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, 'mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake', 'ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe 'futje e sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimi'.

Emiljano Shullazi akuzohet për 'organizim dhe drejtim të grupit të strukturuar kriminal, 'sigurimi i kushteve për kryerjen e vrasjes së Durim dhe Valter Bamit', 'sulme ndaj familjarëve të një zyrtari shtetëror' dhe 'futja e sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit.

Naim Stafuka dhe Blerim Abazi (alias Blerim Gashi) akuzohen për 'pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal' dhe 'sigurimi i mjeteve për kryerjen e vrasjeve të planifikuara'.

Plani

Sipas bisedave të zbërthyera më herët nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar 9SPAK), Avdyli ka aktivizuar të besuarit e tij për të kryer këtë vrasje. Ai ndodhej pas hekurave bashkë me Emiljano Shullazin, kreun e bandës së Rrugës së Kavajës, në momentin që zhvillonte biseda me Ervis Martinajn, i cili rezulton i zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit të vitit 2022. Martinaj kishte lidhur aleancë me ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe thurnin planin për vrasjen e Durim Bamit.

Plani prishet disi në fund të korrikut 2020 ku merret vendimi që Emiljano Shullazi të futet në regjimit “41BIS”. Në lidhje me këtë, janë zbardhur komunikimet mes Arben Ndokës dhe Ervis Martinajt, ku ndër të tjera, ky i fundit i thotë Ndokës se “Milin e qitën jashtë loje..”.

Në këto kushte, Martinaj dhe Ndoka si organizatorë dhe financues të vrasjes së Durim Bamit kërkojnë zgjidhje të tjera dhe ata trokasin te fisi Avdylaj në Shijak, të cilët ndërkohë duan të hakmerren pasi dyshojnë se Valter Bami ka marrë pjesë te atentati ndaj Rrumit të Shijakut. Kështu, në lojë futen edhe Avdylajt, të cilët i japin Arben Ndokës nipin e tyre, Aldo Avdylaj që të rrijë në Lezhë deri në ekzekutimin e Durim Bamit.

Vëllezërit Durim dhe Valter Bami fshiheshin prej disa kohësh në Dubai dhe janë persona të shpallur në kërkim me urdhër-arresti nga SPAK. Bami po qëndron në një burg në Dubai, pasi SPAK e akuzon për veprën penale të “sigurimit të kushteve për të kryer vrasje”, në dëm të Arben Ndokës, Ervis Martinajt, Erigers Mihasit dhe Hektor alias Tori Xheçukës. Nga ana tjetër Durim Bami, kërkon të mos ekstradohet në Shqipëri me pretendimin se në këtë vend i rrezikohet seriozisht jeta./ZËRI 

Poll

MOS HUMB