Aktualitet

Hetimet për drejtorin e Tatimeve, SPAK iu sekuestron celularët Ceno Klosit dhe dy vartësve të tij

Klosi po hetohet për disa vepra penale: korrupsion, shpërdorim detyre dhe mashtrim dhe falsifikim dokumentash

E.K
Hetimet për drejtorin e Tatimeve, SPAK iu sekuestron celularët Ceno
Ceno Klosi ne SPAK

TIRANË- Drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi, dhe dy vartësve të tij, i janë sekuestruar telefonat me urdhër të SPAK. Klosi është vënë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, që në dhjetor të vitit të kaluar pas disa denoncimeve ndaj tij, nga eksponentë të opozitës. Përveç Cenos që është në cilësinë e titullarit të institucionit, SPAK ka sekuestruar dhe telefonat e shefit të kabinetit të tij, Elird Qendro dhe drejtorit të rimbursimeve, Gjergj Smokthina.

Klosi po hetohet për disa vepra penale: korrupsion, shpërdorim detyre dhe mashtrim dhe falsifikim dokumentash. E gjitha mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike. Njëra mban datën 3 korrik dhe tjetra 13 dhjetor të vitit të shkuar. Ndaj edhe SPAK ka vendosur bashkimin e dy procedimeve në një të vetëm.

“Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”. Për të njëjtin fakt Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.83/2023 datë 03.07.2023, mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar gjithashtu nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”,"-njoftoi Prokuroria. 

Më 23 dhjetor 2021, Klosi u emërua në krye të Tatimeve, duke zëvendësuar Delina Ibrahimaj. Më herët, ai ka punuar si drejtor ekonomik pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe së fundmi ishte drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve./ZËRI

Poll

MOS HUMB