Aktualitet

Historia e operacionit "Plumbi i artë" dhe një mister: Ku ndodhet Ervis Martinaj

Nuredin Dumani dhe 19 të akuzuar të tjerë do të përballen me drejtësinë si të akuzuar për grup të strukturuar kriminal, vrasje me pagesë, trafik droge, vendosje tritoli e grabitje, pasi dosja e njohur si ‘Plumbi i artë’ është zyrtarisht në duart e gjyqtarëve.

Florida Mingla
Historia e operacionit "Plumbi i artë" dhe një mister: Ku
Ervis Martinaj dhe gazetarja Florida Mingla

TIRANË- Operacioni “Plumbi i artë” është fillesa e rrëzimit të grupeve kriminale, ku përmes dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani dhe bisedave të zbërthyera nga “SKY ECC”, po lëshohen çdo ditë urdhërarreste dhe po goditen figurat e krimit. Më të fundit ishin vëllezërit Çopja, Franc dhe Hajdar Çopja, të cilët akuzohen për urdhërimin e të paktën 22 atentateve.

Por si nisi historia e këtij operacioni?

Tashmë, Nuredin Dumani dhe 19 të akuzuar të tjerë do të përballen me drejtësinë si të akuzuar për grup të strukturuar kriminal, vrasje me pagesë, trafik droge, vendosje tritoli e grabitje, pasi dosja e njohur si ‘Plumbi i artë’ është zyrtarisht në duart e gjyqtarëve.

Si nisi ky operacion që mori dhe emrin nga fakti që plumbi në kurrizin e Dumanit mundësoi dorëzimin e tij para autoriteteve dhe kthimin në një të penduar të drejtësisë?

Ishte 29 mars i vitit 2022, kur Nuredin Dumani u nis të vriste Talo Çelën, njeriun me të cilin kishte ndarë pazaret për të vrarë shumë armiq të përbashkët, por që tashmë e kishte në shënjestër.

Por, në gropën që kishte përgatitur për Talon, Nuredini, me origjinë nga Dibra dhe i skeduar si një tutor prostitutash në Francë, ra vetë brenda.

Ende pa nxjerrë armët që kishte përgatitur për ekzekutim, Nuredin Dumani u qëllua nga pala tjetër dhe një plumb i preku shtyllën kurrizore, duke e bërë të pamundur arratisjen e tij. Ai u mjekua nga katër mjekë në shkelje ligji pasi bluzat e bardha të Fierit nuk njoftuan policinë e për këtë gjë, Julian Malaj, Ermal Gjeci dhe Bledar Berdalli po përballen me drejtësinë. Më pas u strehua në një apartament të marrë me qira nga e dashura e tij nga Kosova, Mirjeta Hajdini, 20 vjeçe, të cilës i ishte prezantuar si Arvit Spahiu dhe madje i kishte kërkuar dorën për fejesë.

Por, strehimi nuk zgjati shumë. Me një pamje totalisht të transformuar, me flokë të gjatë e kaçurrelë, Dumani u arrestua në apartament.

Gjendja e tij e rëndë shëndetësore dhe nevoja për mjekim të vazhdueshëm bënë që vizitat në spital t’i kishte të vazhdueshme, por nga ana tjetër, nuk ndalonin as negociatat me drejtësinë që arritën ta kthenin Dumanin në një të penduar.

Rrëfimi i tij dhe i ‘ushtarit’ më të besuar, Henrik Hoxhaj, zbardhën krime të një dekade, të ndodhura nga viti 2011 deri në 2022-shin.

Bujar Çelën, vëllain e Talo Çelës, krim për të cilin nisi dhe hasmëria mes dy miqve, Dumani ka thënë se e ka vrarë ai vetë në bashkëpunim me Besmir Xhixhën, dhe një tjetër person.

Ndërsa 2.8 kg tritol që u vendosën në vilën e Talo Çelës, deklaroi se është vepër e Elio Bitrit, i cili u kap në Holandë.

Nuredin Dumani tregoi gjithashtu se Talo Çela kishte organizuar një plan për vrasjen e Florenc Çapjas, por edhe të Sokol Sanxhaktarit, me kërkesë të 4 emrave të njohur të krimit. Për kokën e Sanxhaktarit ishin premtuar 200 mijë euro.

Rrëfimet zbuluan gjithashtu se Alban Bengasi ka paguar 120 mijë euro për të vrarë gruan e tij, për të cilën dyshonte se e kishte tradhtuar me shokun e ngushtë.

Gjithashtu ishte porositur e organizuar atentati ndaj biznesmenit Lulzim Masha në Tiranë, i cili shpëtoi. Dumani ka thënë se vrasja e tij është porositur nga Suel Çela, dhe kanë marrë pjesë në ngjarje Skerdi Tase dhe Henrik Hoxhaj

Ai ka rrëfyer dhe ekzekutimin e Fatmira Dedës, ngjarje e ndodhur në vitin 2014, krim që sipas Dumanit është kryer nga Talo Çela, pasi kërkonte drejtësi për vrasjen e djalit të saj, Elvis Deda në vitin 2013, i vrarë nga Henrik Hoxhaj dhe Fatmir Qoli.

Aplikacioni përmes të cilit komunikonin anëtarët e grupeve kriminale ishte Matrix, i cili mund të konfigurohet në celular, bisedat mes bandave mund të kodohen. Vrasjet e bujshme të Dorian Shkoza e Anxhelo Avdia, të ndodhura më 02 mars 2020 dhe Besmir Haxhia e Viktor Haxhia, ndodhur 27 prill 2020, gjithashtu morën përgjigje.

Nuredin Dumani ishte kthyer në një ‘minierë ari’ për drejtësinë duke përmendur kështu edhe ‘bosët’ e krimit në vend si Ervis Martinaj, Suel Çela, Kamber Mehajn, Sokol Sanxhaktarin, Florenc Çapja e Endrit Dokle. Martinaj kishte urdhëruar Dumanin që të eliminonte Doklen e madje sipas dëshmisë së të penduarit, i kishte lënë një çek të bardhë, në mënyrë që ta vendoste vetë çmimin, por Dokle rezultoi të ishte ‘i vështirë’.

Një pjesë e mirë e të përmendurve në dosje janë aktualisht pas hekurave si të akuzuar, ndërsa të tjerë janë shpallur në kërkim e dihet që tashmë janë të strehuar në vendin e të paekstradueshmëve, por është vetëm një person, fati i të cilit vijon të mbetet mister.

Ndërkohë që drejtësia e kërkonte dhe krahët i ishin eliminuar, Ervis Martinaj qarkullonte lirshëm mes Tiranës, Durrësit e Fushë Kuqes. Por, jo për shumë kohë. Më 9 gusht të vitit 2022 u zhduk pa gjurmë dhe edhe pse ka kaluar një vit e gjysmë prej asaj date dhe ultimatumet e vendosura ndaj Policisë së Shtetit kanë skaduar, nuk dihet asgjë prej tij.

Rrjeti hodhi hipoteza që nuk gjenin bazë, rrjeti fliste për trupe të ndarë të shumë pjesë, për një njeri që ka ndërruar fytyrë e identitet, por ajo që dëgjojmë nga ish-Ministri i Brendshëm Taulant Balla është që autoritetet janë prag zbardhjes. Sinjalet e dhëna prej tij kanë nënkuptuar se Martinaj është eliminuar dhe që për të armiqtë janë kujdesur që të mos ketë asnjë varr ku të prehet.

Kur s’ka kufomë, s’ka krim, kështu drejtësia nuk mund të vihet në kërkim të autorëve për një ngjarje që përtej dyshimeve, nuk ekziston e shkruar e zeza në të bardhë.

Plumb i artë u mbyll duke lënë pas hekurave vrasës me pagesë, duke pasur si spektatorë nga Dubai urdhëruesit e dhjetëra vrasjeve dhe me një mister të madh.

Ku ndodhet Ervis Martinaj?

Poll

MOS HUMB