
DURRËS- Vrasja e Pëllumb Metës vijon të jetë e rrethuar me mister, ndërkohë që dy fëmijët e tij, në kohë të ndryshme kanë marrë përsipër fajin. Tashmë që Hygerta Meta pranoi në sallën e gjyqit, se ka qenë ajo që ka vrarë babanë e saj, dhe jo i vëllai, tre fëmijët pritet që të merren sërish në pyetje nga ana e prokurorisë, për të dalë në konkluzionin se kush realisht e shkrepi armën.
Pas seancës së sotme, ku të tre u lanë nën masën e arrestit me burg, avokatja e caktuar kryesisht nga shteti, tha se ajo po njihet me dosjen, dhe se nuk ka dijeni se kush ka qëlluar realisht, sa kohë që deklarimet janë ndryshuar.
“Të vërtetën nuk mund ta them unë, pasi janë ende duke u kryer hetimet. Ata dhanë deklarimet e tyre dhe gjykata caktoi masën arrest me burg. Ka pasur ndryshime, një herë e pranoi Hygerta dhe më pas vëllai, më pas sërish Hygerta. Ata do merren sërish në pyetje nga Prokuroria. Unë jam njohur me dosjen hetimore duke qenë se ka qene dhe një ngjarje e njohur në publikë”, u shpreh avokatja e caktuar nga shteti.
Tre fëmijët janë braktisur dhe nga familjarët e tyre, pasi sot në Gjykatë nuk kishte shkuar asnjë prej të afërmve. Ndërkohë nëna e fëmijëve është nën hetim, për të zbuluar rolin që ajo ka pasur në vrasje. Hygerta Meta, gjatë dëshmisë së saj në Gjykatë, u shpreh se babai i saj dhunonte nënën, e madje vetë ajo në disa raste kishte qenë dëshmitare e dhunës. /ZËRI