Aktualitet

I morën 55 mijë euro biznesmenit Papuçi, SPAK mbyll hetimet dhe çon në gjykatë dy ish-prokurorët e Sarandës

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho, akuzohet nga SPAK për korrupsion, ndërsa ish-prokurori tjetër, Çlirim Shahini, i cili ushtron profesionin e avokatit, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

zh.ll
I morën 55 mijë euro biznesmenit Papuçi, SPAK mbyll hetimet dhe
Dy ish-prokuroret

TIRANË- Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet për dy ish-prokurorët, Kledian Llaho dhe Çlirim Shahini, dhe ka dërguar në gjykatë kërkesën për kalimin e çështjes për gjykim.

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho, akuzohet nga SPAK për korrupsion, ndërsa ish-prokurori tjetër, Çlirim Shahini, i cili ushtron profesionin e avokatit, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

Ish-prokurorët e Sarandës dyshohen se u përfshinë në një aferë korrupsioni për zbutjen e masës së sigurimit ndaj shtetasit Pando Papuçi, i cili ishte shpallur në kërkim për ndërtim pa leje. Organi i akuzës dyshon se dy ish-prokurorët i kanë kërkuar Papuçit shumën totale prej 55 mijë eurosh, në këmbim të ndërhyrjes në procedurat gjyqësore, me synim zbutjen e masave të sigurisë.

Hetimet kanë evidentuar se Papuçi ishte shmangur nga drejtësia për rreth dy vite dhe u arrestua më pas, ndërsa masa e sigurisë ndaj tij u ndryshua brenda një ore nga gjyqtarja Edona Vajushi, pas kërkesës së prokurorisë. SPAK dyshon se kjo lëvizje ka qenë pjesë e një skeme të paracaktuar, ku pagesat e paligjshme do të shërbenin për të ndikuar vendimmarrjen gjyqësore.

Sipas prokurores Manjola Kajana, Llaho dyshohet se ka përfituar 30 mijë euro, të cilat, sipas hetimit, janë dorëzuar përmes biznesmenit Vasil Bakalli, i akuzuar se ka vepruar si ndërmjetës (sekser). Paratë dyshohet se janë siguruar në Greqi.

Pas daljes nga burgu dhe vendosjes në masën “arrest shtëpie”, Papuçi dyshohet se i ka paguar edhe 25 mijë euro të tjera Çlirim Shahinit, me qëllim që ky i fundit të ndërhynte për zëvendësimin e masës me “detyrim paraqitjeje”. Edhe kjo kërkesë është pranuar më pas nga gjykata.

Çështja ndaj dy ish-prokurorëve pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Ndërkohë, në gusht të vitit 2025, Gjykata e Apelit ka konkluduar se Pando Papuçi nuk kishte konsumuar vepër penale lidhur me akuzën për ndërtim pa leje, duke rrëzuar thelbin e çështjes ndaj tij./ZËRI 

Poll

MOS HUMB