
TIRANË – Pasi u akuzua për prostitucion dhe u dënua me 1 vit burg nga GJKKO, Alma Kaçi ka folur publikisht për detajet e skandalit seksual të Safet Gjici. Ajo tregon se kush e çoi tek Gjici. Kaçi tha për JOQ se ajo ka kryer punën që ia kishte caktuar emisioni “Fiks fare”, duke qenë se, siç shprehet ajo, punonte për stafin e “Fiksit”.
Alma Kaçi thotë se kamera në gotë ka vetëm stafi i këtij emisioni investigativ. Ajo ka shtuar se ka bërë disa filmime edhe në bashki të tjera të vendit. “Kam qenë agjente e Fiks Fare, ata e kishin planin. Kamera në gotë ka vetëm Fiks Fare. Kam bërë filmime edhe në bashki të tjera të vendit, të cilat nuk janë publikuar", tha ajo.
Pjesë nga intervista e Alma Kaçit, protagoniste e videos intime me Safet Gjicin:
Ndërkohë që unë isha agjente, bashkëpunëtore, mund të specifikohet si të dojë. E kemi shtruar bisedën në tavolinë. Kanë thënë vetëm dy fjalë. Kukësi është qytet i vogël. Nëse ne shkojmë atje me makina me targa të Tiranës, do të identifikohemi se cilët jemi. Ne kemi bërë regjistrime edhe në Bashkinë e Roskovecit, për kryetaren e bashkisë atje që blinte vota, ne kemi bërë filmime edhe në Bashkinë e Fierit, kemi bërë dhe në Kavajë, atëherë çfarë do të thotë kjo?
Unë ka 8 muaj që ndodhem në arrest shtëpie. Akuza është qesharake. Vetëm kjo akuzë nuk duhet të qëndronte, sepse unë kam punuar për një kompani mediatike, për emisionin Fiks Fare. Edhe pajisja është dhënë nga Fiksi. Sepse të hyje në zyrën e Safet Gjicit me një pajisje regjistruese ose me celular ishte shumë e vështirë. Si ajo pajisje janë vetëm dy në Shqipëri, që i disponon emisioni Fiks Fare. Pajisja merrej me proces-verbal, me karikues, shikoni në internet dhe kudo, nuk ekzistojnë këto pajisje, pra është e porositur vetëm për emisionin Fiks Fare. Nuk e di se ku është porositur.
Unë nuk kam pasur mbrojtje, por kam pasur shqetësime. Unë kam mesazhe nga kryeredaktorja, për disa punë të tjera që kam bërë në Durrës. Unë kam punuar për një media, shefja e asaj mediajeje, është mike me Edi Ramën, mjafton të hysh në zyrë atje të shikosh foton e Ramës, nuk ka ndonjë gjë, por mendoj se një media duhet të jetë e pavarur. Më ka thirrur Krimi Ekonomik për 4 punë të miat që kam bërë në Durrës, që janë transmetuar në Fiks Fare dhe në këto momente janë në YouTube. Stafi atje blenin numra në treg të zi në Tiranë dhe përdornin numra me emra të ndryshëm. Ndërkohë unë drejtpërdrejtë përdorja numrin tim, u jepja personave numrin tim, ishte e thjeshtë për të më gjetur kush isha unë. Më thoshin që të tregoj në polici se punoj te Fiks Fare. Kjo histori ka ndodhur 1 muaj përpara videos me Safet Gjecin. Unë kam punuar për një media investigative, sepse ndryshe nuk kisha pse ta filmoja Gjicin. Disa nga punët e mia nuk janë transmetuar aty. Nga drejtuesi i Fiks Fare kam marrë fjalë vetëm çfarë të duhet ty, ti nuk duhet të bësh armiq, thjesht merr pagesën dhe kaq. Nga fjalët në Kukës thuhej se Gjici e kishte kthyer bashkinë si hotel.
Për skandalin seksual, GJKKO ka dënuar me 1 vit burg Alma Kaçin për prostitucion dhe Safet Gjicin me 2 vite burg për shpërdorim detyre./ZËRI/