
FRANCË- Një shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije është dënuar me 18 muaj burg nga drejtësia franceze pasi u kap me më shumë se 134 mijë euro në makinë. Policia shprehet se shumën e parave, shqiptari do e kontrabandonte në Spanjë. Bashkë me të në makinë në momentin e ndalimit në doganën e Perthusit ishte dhe një grua. Kjo e fundit u la e lirë.
Fillimisht i pyetur në agjentët e doganës se sa para kishte me vete, shqiptari ka deklaruar se nuk e dinte, ndërsa pas kontrollit iu zbulua çanta me para. Në dëshminë e parë dhënë pas arrestimit burri ka deklaruar se do të shkonte në Madrid për të blerë makinë.
Ndërsa më pas ka deklaruar se shumën do e dorëzonte në Spanjë, në një parking në Madrid, por nuk e dinte se kush ishte “porositësi”. Ai shtoi se nga ky ‘shërbim” do të përfitonte 1500 euro. Por Policia është e bindur se ai është pjesë e një grupi kriminal.
Ndërkohë, Prokuroria në pretencën e dhënë në Gjykatë ka deklaruar se ka prova dhe përgjime se shqiptari është pjesë e një rrjeti. Ai u dënua me 18 muaj burg, ndërsa i duhet të paguajë dhe dy gjoba të majme, njëra 134,655 euro, ndërsa tjetra 67,327 euro./ZËRI