Aktualitet

Krimi që tronditi Durrësin, nga plani për vrasjen te fshehja e trupit, roli i 3 fëmijëve dhe gruas së Pëllumb Metës

Plani i fëmijëve për të inskenuar vrasjen e babait ka zgjatur vetëm 13 ditë, ndërkohë që Hygerta Meta donte të merrte përsipër fajin, për të shpëtuar të vëllanë e saj

E.K
Krimi që tronditi Durrësin, nga plani për vrasjen te fshehja e
Pellumb Meta dhe dy femijet e tij

DURRËS- Kur kanë kaluar rreth 24 orë nga zbulimi i një krimi tronditës nga Policia e Durrësit, tashmë skena është më e qartë, duke shtuar dhe numrin e personave të përfshirë, të gjithë familjarë të viktimës Pëllumb Meta. Ndryshe nga sa u raportua fillimisht se 50-vjeccari u vra nga vajza e tij, Hygerta Meta, e cila mori përsipër edhe krimin, policia tashmë ka të dyshuar kryesor djalin e madh, Hysen Meta. Arrestimi i tij u njoftua nga policia pasditen e djeshme, ndërsa në pranga ra dhe vëllai i tij më i vogël, i cili dyshohet se ka ndihmuar në fshehjen e trupit.

Shkak për ngjarjen e rëndë dyshohet dhuna e vazhdueshme që kryefamiljari ushtronte ndaj gruas dhe fëmijëve të tij, ndërsa tashmë duket se është rrëzuar edhe alibia që ngriti vajza, për një fejesë me detyrim që babai donte ti bënte asaj me një djalë nga fshati, që jetonte si emigrant në shtetin italian. Sherret e vazhdueshme në familje, duket se kanë qenë shkak që fëmijët të planifikonin vrasjen e babait të tyre, fshehjen e trupit, dhe më pas ngritjen e një skenari për zhdukjen e tij.

Vrasja e Pëllumb Metës dyshohet se ka ndodhur në një prej dhomave të banesës në datën 10 Shkurt, ndërsa 3 ditë më vonë djali i madh do të shkonte në polici, dhe do të deklaronte zhdukjen e tij. Pjesë e planit të fëmijëve ka qenë dhe zhvendosja e makinës nga banesa, në zonën e sektorit Rinia në Durrës, por harruan një detaj që ishte aparati celular, të cilin policia e gjurmoi dhe e gjeti në banesë.

Edhe pse sipas policisë nuk ka marrë pjesë në vrasje, Blerina Meta, nëna e tre fëmijëve ka qenë në dijeni të krimit, dhe nuk ka rrëfyer. Për këtë shkak ndaj saj kanë nisur hetimet në gjendje të lirë, ndërsa të tre fëmijët e saj tashmë ndodhen pas hekurave.

Familja Meta ishte vendosur prej disa vitesh në zonën e Shënavlashit në Durrës, ndërkohë që ishin me origjinë nga qyteti i Krujës. Prindër të 4 fëmijëve, një prej tyre e martuar, Blerina rrëfeu në polici, para se ngjarja të zbardhej plotësisht, se burri i saj kishte qenë një prind autoritar, dhe nëse e kundërshtonin anëtarët e tjerë të familjes, ai bëhej dhe i dhunshëm.

SI NDODHI VRASJA

Vrasja e Pëllumb Metës dyshohet se ka ndodhur në datën 10 Shkurt, ku Hysen Meta e ka qëlluar babanë e tij me 4 plumba, me pistoletën që vetë kryefamiljari e kishte pa leje. Pas ngjarjes së bashku me të motrën e tij, ata hapën një gropë në kasollen e bagëtive për të fshehur trupin të cilin e kishin mbuluar me batanije dhe me qese. Në fshehjen e trupit ka ndihmuar dhe djali më u vogël i familjes, Amarildo Meta, ndërsa shenjat e gishtave të tyre u gjetën në qesen me të cilën ishte mbështjellë trupi i pajetë u babait.

INSKENIMI I ZHDUKJES

Duke qenë se fëmijët kanë mundur ta kenë kohën në dispozicion për të menduar mekanizmin se si të vepronin, ata kanë vendosur të zhdukin armën e krimit, e cila u gjet në një kanal mesditën e djeshme, të çojnë automjetin në një vend larg shtëpie, të kujdesen që brenda banesës të mos kishte asnjë gjurmë, e për pasojë, pas tri ditësh, djali i madh ka bërë edhe denoncimin e zhdukjes.

DËSHMIA E VAJZËS

Në momentin që policia ka mbërritur në banesën e familjes Meta, me indicie se Pëllumb Meta ishte vrarë, vajza e tij Hygerta ishte ajo që mori përsipër krimin e rëndë. Por dëshmitë e saj kontradiktore, dhe provat e gjetura më pas, provuan se ajo ishte thjesht bashkëpunëtore, dhe jo ekzekutore në vrasjen e të atit. Hygerta në versionin e saj të parë në polici, tha se e kishte vrarë vetë të atin dhe e kishte varrosur e vetme në kasollen ngjitur me shtëpinë. Ajo ka qenë kontradiktore dhe për armën e përdorur në vrasje, ku tha fillimisht se e kishte hedhur në det, ndërsa arma u gjet në një zonë pranë banesës së tyre. Pas skenarit të fejesës, ajo ka pranuar zënkat e vazhdueshme në familje, ndërsa policia më pas ka mbajtur nën vëzhgim të gjithë anëtarët e tjerë të familjes.

DËSHMIA E HYSEN METËS

Përgjatë ditës së djeshme, policia ka shoqëruar edhe tre pjesëtarët e tjerë, ndërkohë pas rezistencës së tyre që nuk kanë dijeni për çfarë ka ndodhur, djali i madh është dorëzuar: “Po, e vrava unë! E vrava se donte ta fejonte motrën pa lejen e saj”!

Policia ka rimarrë sërish në pyetje vajzën, e cila sërish ka këmbëngulur se e ka bërë vetë vrasjen se i ati i kishte nxirë jetën, se nuk donte ta linte të vazhdonte shkollën, se nuk ishte e penduar, se personi që ai kishte zgjedhur për ta fejuar nuk ishte i duhuri për të. Vajza 19 vjeçe ka vijuar të mbrojë vëllezërit për t`i lënë jashtë historisë së krimit horror, pa e ditur që vëllai i madh, jo vetëm kishte pranuar krimin, por kishte treguar se motra nuk kishte asnjë faj.  Hygerta Meta u rikthye pranë banesës për të treguar krimin, por ajo i qëndroi deri në fund vendimit për të marrë përsipër të gjithë fajin.

ÇFARË DEKLAROI POLICIA

Sipas policisë dhe prokurorisë së Durrësit, djali i madh Hyseni, 25 vjeç dhe vajza e vogël, Hygerta, 19 vjeçe janë bashkautorë në vrasjen e të atit ndërsa djali tjetër Amarildo, 21 vjeç, ka ndihmuar vëllanë dhe motrën për fshehjen e kufomës. E ëma Blerina akuzohet se fshehu krimin. Drejtori i Policisë së Durrësit, Skënder Hita doli pasdite në një konferencë për median ku zbardhi gjithë dinamikën e asaj ngjarje që kishte nisur me denoncimin e 25-vjeçarit më 13 shkurt në polici se i ati ishte zhdukur.

“Nga intensiteti i veprimeve hetimore u arrit të konkludohej më 22 shkurt se nuk kishim të bënim me zhdukje por krimin e rëndë të vrasjes në familje. Të dy fëmijët e viktimës, Hysen Meta, 25 vjeç dhe vajza H.M, 19 vjeçe, kanë qenë bashkautorë në këtë krim të rëndë. Ndërsa djali tjetër Amarildo Meta me veprimet e tij aktive ka ndihmuar vëllanë dhe motrën për fshehjen e kufomës. Hetohet në gjendje të lirë, Blerina Meta, 49 vjeçe nëna e tre fëmijëve pasi ka kryer veprime që pengojnë të vërtetën.

Shtetasit kanë deklaruar se motivi i vrasjes kanë qenë konfliktet e vazhdueshme që kanë pasur dhe nxitja prej babait për një periudhë kohe që vajza të fejohej pa dëshirën e saj”, deklaroi drejtori i Policisë.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB