
TIRANË- Majlinda Dehima, edukatorja e kopshtit privat “Stinët” rrezikon 10-20 vite heqje lirie. Prokuroria e Tiranës e ka marrë të pandehur, e tani Dehima do të përballet me akuzën “keqtrajtim të të miturit”. Gazetari Elton Qyno shkruan për "OraNews" se vendimi për mbylljen e hetimeve dhe kalimin e dosjes në gjyq është marrë në fillim të muajit prill.
Ndërkohë që vendimi ende nuk është marrë, edukatorja Majlinda Dehima vijon që të qëndrojë në ambientet e paraburgimit të “Ali Demit” në Tiranë.
48-vjeçarja është arrestuar në datën 9 nëntor pas publikimit të pamjeve filmike në rrjet, ku shihet teksa keqtrajton një të mitur, e cila ka thyer edhe këmbën. Masa nga prokuroria u kërkua pasi ka marrë në dorëzim pamjet filmike të kopshtit privat, ku shihej në disa episode dhuna ndaj të miturës. Kujtojmë se në dëshminë e saj të parë, edukatorja ka pranuar se e ka dhunuar të miturën sepse kishte nisur të qante. Madje, më pas, shtoi se menjëherë pasi i kishte pikasur këmbën e dëmtuar, kishte njoftuar Drejtoreshën e kopështit, duke ngritur më pas edhe versione se si mund të ishte dëmtuar e mitura. Sa i përket dëmtimit në këmbë, Dehima tha se vajza mund të jetë dëmtuar tek krevati.
Dhunimi i 3-vjeçares në kopshtin Stinët ndodhi në datën 1 Nëntor. Drejtuesja e kopshtit, i cili vepronte pa licensë dhe në ilegalitet të plotë, ka tentuar ta fshehë ngjarjen, duke iu thënë prindërve të së miturës, se këmba i ishte ënjtur si pasojë e një pickimi. Por pamjet e transmetuara në emisionin Stop vërtetuan të kundërtën, ku shihej edukatorja që dhunonte të miturën, teksa fëmijët ishin duke fjetur gjumin e drekës. Për 2 orë 3-vjeçarja u mbajt duke qarë në kopsht, dhe më pas u bë njoftimi i prindërve të saj, të cilët u përballën dhe me sjelljen arrogante dhe aspak profesionale të punonjësve të policisë, 2 prej të cilëve janë nën hetim./ZËRI