Aktualitet

Inceneratori i Tiranës, Gjykata e Posaçme liron Pëllumb Abeshin, i skaduan afatet e paraburgimit

Përfundojnë afatet e paraburgimit, lirohet Pellumb Abeshi

E.K
Inceneratori i Tiranës, Gjykata e Posaçme liron Pëllumb
Pellumb abeshi

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka liruar nga nga burgu 68-vjeçarin Pëllumb Abeshi pasi kanë përfunduar afatet e paraburgimit. Ish-zyrtari i Ministrisë së Mjedisit, mbahej në burg për inceneratorin e Tiranës.

Më datë 10 janar, GJKKO lehtësoi masën e Abeshit nga arrest me burg në arrest shtëpie, por pas ankimit të SPAK, Abeshi më 27 janar u kthye sërish në qeli me vendim të Apelit të Posaçëm. Tashmë ai lirohet sërish nga qelia pasi i kanë mbaruar afatet e paraburgimit.

“I pandehuri Pëllumb Abeshi më datë 08.01.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme me objekt: Shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg”, caktuar ndaj tij me vendimin nr. 20, datë 27.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj, vendosi: Pranimin e kërkesës dhe shuarjen e masës së sigurimit “Arresti në burg”, caktuar ndaj shtetasit Pëllumb Abeshi me anë të vendimit Nr.20, datë 27.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit Pëllumb Abeshi nëse nuk mbahet i dënuar, i arrestuar apo i ndaluar për ndonjë vepër tjetër penale”, njofton Gjykata e Posaçme Antikorrupsion.

Abeshi ishte kryetari i Komisionit të Shpronësimit të ngritur me urdhër të Ministrisë së Mjedisit në kohën kur ky dikaster drejtohej nga Lefter Koka. Emri i Abeshit ishte mes 15 personave të tjerë për të cilët SPAK firmosi urdhër-arreste më 7 dhjetor 2023 sa i takon hetimit të nisur tre vite më parë për kontratën e koncesionit “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”.

Deri tani janë ekzekutuar 12 urdhërarreste, ndërsa 3 persona, mes të cilëve Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, janë në kërkim ndërkombëtar, konsideruar koka e aferës, nën akuzë për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim parash./ZËRI 

Poll

MOS HUMB