
TIRANË- Altin Dumani, kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka folur për inceneratorin e Tiranës. Në një takim me gazetarët tha se nuk ka fraksion të ndarë, por hetimet vazhdojnë për çdo aktor që ka kryer veprime apo mosveprime. Megjithatë nuk përmendi emra zyrtarësh se cili po hetohet. Madje dhe i pyetur për përfshirjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nuk i ka asnjë përgjigje konkrete.
"Është në fazë hetimesh paraprake që vazhdojnë në drejtim të çdo faktori që mund të kenë kryer veprime penale, apo persona të tjerë që kanë pasur në duar vendimmarrje. Hetimet po bëhen në kuadër të të njëjtit procedim, jo me fraksion (pyetje: edhe ndaj Veliajt). Do sqarohet pozita e secilit, çdo veprim po verifikohet,"-tha Dumani.
Operacioni i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nisi mbrëmjen e 8 dhjetorit ku u lëshuan 15 urdhër-arreste, mes tyre dhe dy biznemenët e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Po ashtu urdhër-arresti u lëshua dhe për drejtorin e Shërbimeve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha./ZËRI