
KARABURUN- Një 28-vjeçar është lënduar në plazh, teksa është hedhur në ujë nga mjeti lundrues skaf me të cilin po lundronte. Ngjarja ka ndodhur në plazhin e Lukovës në Himarë, ku i riu është hedhur dhe ka dëmtuar këmbën në një masiv shkëmbor. Menjëherë ai është dërguar për ndihmën e parë në spitalin e Sarandës, ndërsa më pas, është përcjellë për në Tiranë për një mjekim më të specializuar. Ndërkohë, pronari i skafit që kishte marrë i riu është gjobitur me 100 000 lekë, pasi nuk ishte i pajisur me licencë nga operatori turistik.
NJOFTIMI I POLICISË:
Himarë
Komisariati i Policisë Himarë referoi materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi ditën e djeshme, në plazhin e Lukovës, shtetasi A. T., 28 vjeç, dyshohet se aksidentalisht ka dëmtuar këmbën në një masiv shkëmbor, kur është hedhur në det, nga mjeti lundrues skaf me të cilin po lundronte. Mjeti lundrues ishte marrë me qira dhe drejtohej nga shtetasi A. N. Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë kanë asistuar në shoqërimin e 28-vjeçarit të dëmtuar, në spitalin e Sarandës, i cili më pas është transportuar në Tiranë, për ndihmë mjekësore të specializuar.
Gjithashtu, nga këto shërbime është shoqëruar dhe bllokuar në portin e Sarandës, mjeti lundrues skaf, si dhe janë vendosur masat administrative 100 000 lekë për pronarin, shtetasin A. D., pasi nuk ishte i pajisur me licencë nga operatori turistik, dhe 10 000 lekë për drejtuesin e mjetit lundrues, shtetasin A. N., i cili nuk ishte i pajisur me dokumentacionin e nevojshëm për posedimin dhe përdorimin e mjetit lundrues. Policia Kufitare dhe ajo Vendore është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, për të krijuar një ambient sa më të sigurt dhe në këtë kuadër fton qytetarët të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë.
Kjo është ngjarja e dytë brenda javës, ku dy pushues plagosën nga helika e skafit. Disa ditë më parë një pushues 56-vjeçar u përplas nga një tjetër gomone në gjirin e Shën Janit në Karaburun. I lënduari u transportua për ndihmë mjekësore drejt spitalit të Traumës me helikopter. Por duket se incidenti u përsërit sërish dje, fatmirësisht me dëmtime të lehta. /ZËRI