
TIRANË- 20 milionë lekë të reja ka akorduar Policia e Shtetit për Konferencën e 51-të Rajonale Europiane të INTERPOL-it, e cila do të mbahet në datat 11,12 dhe 13 Qershor në Tiranë. Kjo Konferencë do të bëjë bashkë në kryeqytetin e shqiptarëve 200 përfaqësues të policive të huaja. Gjithçka do të organizohet në Pallatin e Kongreseve. Ndërkohë, autoritetet shqiptare kanë ftuar në takim dhe ministra të vendeve të huaja, të cilët do të udhëtojnë drejt Tiranës në 3 ditët e punimeve të Konferencës.
Sa i përket axhendës së takimit, kjo mbetet ende e paqartë, pasi mund të duhet të ruhet “sekreti” i bisedimeve që do të kryejnë përfaqësuesit e INTERPOL. Por fokusi mbetet tek lufta ndaj krimit, drogës dhe sulmeve kibernetike. Ndërsa ka nisur puna për përgatitjen e eventit, që nga detajet e vogla deri tek logoja që do të mbajë konferenca dhe detajet që lidhen me organizimin.
Ndërkohë Kuvendi i Shqipërisë, në senacën e datës 16 maj do të kalojë me procedurë të përshpejtuar marrëveshjen e Shqipërisë dhe INTERPOL, mbi privilegjet dhe imunitetet e delegacioneve pjesëmarrëse. Marrëveshja saktëson se vendi organizator ka detyrë ruajtjen e sigurisë së delegacioneve dhe dhënien e privilegjeve për aq kohë sa janë të pranishëm dhe për këtë ngarkohet Policia e Shtetit. Përfaqësuesit e ICPO-INTERPOL-i do të kenë të njëjtat privilegje dhe imunitete që zakonisht u jepen organizatave ndërkombëtare./ZËRI