
TIRANË- Pas investigimit të ZËRI-t, i cili me zë dhe me figurë solli denoncimet e qytetarëve, të cilët kishin rënë pre e mashtrimit, Policia e Shtetit dhe Prokuroria kanë reaguar duke lëshuar disa urdhra-arresti. Në pranga kanë përfunduar tre punonjësit e Fondit ’Besa’, Lindita Ndroqi, Linda Peçi, Eros Aliu, ndërsa në kërkim është shpallur Ledion Vrapi. Po ashtu në pranga ka përfunduar edhe noterja Majlinda Demollari. Vrapi futi në kurth 11 qytetarë dhe i shtyu të hapnin llogari bankare me emrin e tyre dhe të aplikonin për kredi pranë Fondit Besa. Të gjithë, të mashtruar nga Vrapi aplikuan për kredi, për 5-7 milion lekë të vjetra, por në dorë morën 500 mijë lekë. Pjesën tjetër i ka mori Vrapi. Eros Aliu, Linda Peçi dhe Lindita Ndroqi kishin rolin e oficerit të kredisë në institucionin financiar Fondi BESA që kanë aprovuar aplikimet për kredi. Ndërsa Majlinda Demollari me profesion notere, ka kryer noterizimin e kontratave për qytetarët që nuk kanë qenë të pranishëm. Kjo skemë është përsëritur edhe në Nishtullë, nga ku banorët denoncuan tek ZËRI dhe kërkuan drejtësi, pasi sot janë afro 12 milionë lekë secili, debitorë pranë Fondit BESA.