Aktualitet

INVESTIGIMI: Shqipëria e përmbytur mes produkteve ‘fake’ dhe kancerogjene

ZËRI ka hulumtuar pikat ku shiten këto produkte dhe janë kryesisht dyqanet që kanë çmime standarte që fillojnë nga 1.5 euro deri në 700 lekë.

F.m
INVESTIGIMI: Shqipëria e përmbytur mes produkteve ‘fake’
Produktet false dhe gazetarja Florida Mingla

TIRANË- Në tregjet e dyqanet e Tiranës mund të gjesh lirshëm produkte false, kryesisht të importuara nga Kina dhe Turqia. Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Tregtisë, mallrat e kopjuara arrijnë të zënë rreth 25% të tregtisë në vend.

Në varësi të cilësisë së materialeve të përdorura apo nivelit të imitimit deri tek çantat që mbështjellin brandet ndërkombëtare apo kartat që mbajnë emrin e tyre, variojnë dhe çmimet. Por, nëse në rroba, këpucë apo lodra, mashtrimi konsiston në atë financiar, situata është më e ndërlikuar në fushën e produkteve të kozmetikës apo të kujdesit për lëkurën.

Produktet e rreme për kujdesin e lëkurës shpesh përmbajnë elementë si arseniku, beriliumi dhe kadmiumi, të gjithë kancerogjenë të njohur, dhe me nivele të larta të aluminit apo nivele të rrezikshme të baktereve. Disa nga këto produkte kanë shkaktuar akne, psoriasis, skuqje dhe infeksione të syve, dëme që kanë detyruar përdoruesit tu nënshtrohen analizave të ndryshme dhe konsultave me dermatologë për të arritur një normalizim të lëkurës.

Në raste të tilla kemi të bëjmë me një faturë të majme që paguhet kur joshesh nga çmimet e lira të produkteve që premtojnë mrekullira, por në fakt janë vetëm imitime të firmave të njohura të kujdesit të lëkurës.

ZËRI ka hulumtuar pikat ku shiten këto produkte dhe janë kryesisht dyqanet që kanë çmime standarte që fillojnë nga 1.5 euro deri në 700 lekë.

Imitimet shkojnë deri tek markat e njohura ndërkombëtare si Huda Beauty apo Jeffrey Star një influencer i njohur ndërkombëtar që ka dalë në treg dhe me paletat që mbajnë emrin e tij, Anastasia Beverly Hills, NAKED e Victoria Secret.

Huda Beauty nuk ka prodhuar kurrë serume të tillë, që sipas dyqanit që i shet përmbajnë acid hilauronik dhe çaj jeshil për qetësimin e zonës poshtë syve. Linja nuk mbaron me kaq, pasi brandit ndërkombëtar i kanë shtuar dhe disa produkte të tjera, që në faqen zyrtare nuk ekzistojnë.

E njëjta gjë vlen dhe për produktet e tjera, vetëm paletat mund të jenë të ngjashme me ato origjinalet.

Dyshimet lindin që nga fatura, e cila nuk ka produktet me emër, por vetëm me numra që tregon se edhe në doganë nuk i ka kontrolluar askush. Si futet në Shqipëri ky prodhim? Kush jep garanci për cilësinë e tyre?

ZËRI ka qenë në kontakt përmes email-it me zyrën e kujdesit të shërbimit të klientit me të gjitha market që përmendëm. Përgjigjia që kemi marrë prej tyre është se janë vënë në dijeni të këtij fenomeni dhe po e shqyrtojnë situatën.

Por nuk mbaron me kaq! Tregu i produkteve false është i zgjeruar dhe online apo në pika farmacie që premtojnë se mund t’ju krijojnë një rutinë të kujdesit për lëkurën për ta përgatitur atë para ekspozimit në diell dhe një tjetër për në darkë. Por çmimet sikur nuk përkojnë me ato që kemi parë në faqet zyrtare.

Një rast i tillë janë dhe setet e The Ordinary që reklamohen me çmime oferte, por në fakt janë thjesht të falsifikuar e burimi i tyre nuk dihet!

ZËRI gjithashtu ka dërguar kërkesë për informacion kundrejt institucioneve përkatëse, Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, Autoriteti i Konkurrencës, Bashkisë Tiranë dhe Drejtorisë së Doganave.

Autoriteti i Konkurrencës është shprehur në përgjigjen për ZËRI-n se problematika e përcjellë nuk konsiston në shkelje të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” duke dalë jashtë juridiksionit të tyre.

Ndërsa autoritetet doganore kanë qenë aktivë duke vendosur në sekuestro veshje të ndryshme që janë futur kontrabandë. Rasti më i fundit ishte në Vlorë, ku u sekuestruan 7 mijë euro veshje për të cilat nuk disponohej fatura përkatëse të deklarimit në autoritetin doganor.

Por sërish, vepra penale që rëndon mbi të arrestuarën është “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, akuzë që nuk ka lidhje me cilësinë e produktit që nxjerr në treg duke na rikthyer edhe njëherë në situatën kaotike të prodhimeve të rreme që i gjejmë kudo.

Për të kufizuar qarkullimin e këtyre produkteve, me qëllim garantimin e konkurrencës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë hodhi për konsultim publik projektligjin “Për markat tregtare” në dhjetor të vitit të kaluar.

Deri në funksionimin e ligjit të mirëfilltë, duke qenë se tashmë jemi pjesë e një tregu të hapur global, na mbetet veçse të shohim me dyshim çdo tendë që na paraqitet si distributor i një brandi.

Ndërkohë që bota investon në industrinë më inovative për të shmangur kancerin e lëkurës apo ngadalësuar shenjat e plakjes në Shqipëri, ne kemi mgecur mes ligjeve të mbetura pezull dhe tregtarëve që abuzojnë me padijen e konsumatorit që joshet dhe nga çmimet e lira, por në bashkëpunim me aurtoritetet që u japin hapësirë të ushtrojnë aktivitetin në këmbim të ryshfetit.

Por, a na vlen lëkura një zarf me para?

Poll

MOS HUMB