Aktualitet

Java politike mes tensioneve, reformave nisur nga tragjedia e Durrësit dhe protestës së PD

Debate dhe tensione shoqëruan seancën plenare të së enjtes, pas interpelancave të kërkuara dhe të pazhvilluara për shkak të mungesës së ministrave dhe kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit mbërriti vetëm në mesnatë për votimin e projektligjeve.

Loreta Koleci
Java politike mes tensioneve, reformave nisur nga tragjedia e Durrësit dhe
Foto ilustruese

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë nisi punimet të hënën me një minutë heshtje për dy të miturit, të cilët u përplasën për vdekje në Durrës, të dielën e 3 majit. Ishte kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili paralajmëroi rishikim të Kodit Penal të Shqipërisë pas aksidentit tragjik në Durrës, duke theksuar se ndëshkimet aktuale nuk janë të mjaftueshme për raste të tilla të rënda. Balla gjithashtu iu drejtua Policisë së Shtetit, duke theksuar se “të fortët e lagjeve” duhet të kontrollohen dhe të bëhen shembull për komunitetin.

Ndërsa e hëna për kampin blu nuk ishte e qetë.

Pas përjashtimit nga gara për kreun e Partisë Demokratike, Mereme Sela ka ngritur një padi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Sela ka paditur Partinë Demokratike me argumentin se u përjashtua nga gara me një vendim të paarsyetuar, të pamotivuar dhe në mungesë transparence procedurale.

Në padi thuhet se organet e partisë kanë lejuar kandidimin e Sali Berisha, në kundërshtim flagrant me ndalimin e parashikuar në statut, pasi neni “Basha” (neni 46) sanksionon se kryetari që humb zgjedhjet duhet të largohet nga drejtimi i partisë. Sela kërkon që kandidimi i ish-kryeministrit Sali Berisha të shpallet i pavlefshëm.

Por nuk mungoi menjëherë reagimi i Berishës. Të martën, kreu i opozitës mblodhi kryesinë e partisë, e cila miratoi me votë unanime vendimin e KOKOE në PD për të lënë kandidat në zgjedhjet e 30 majit vetëm Sali Berishën. Sakaq, Kryesia vendosi me votë unanime edhe për përjashtimin e anëtarëve të tjerë, mes të cilëve edhe për Ervin Salianji, me argumentin se nuk është anëtar i PD-së.

Ndërsa e marta nisi me mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ku kryetari i këtij komisioni, Ulsi Manja, njoftoi se Partia Socialiste do t’i drejtohet Kuvendit me një propozim për ndryshime në Kodin Rrugor. Manja njoftoi nismën që në nisje të Komisionit, duke shtuar se po shqyrtohen të gjitha boshllëqet ligjore për të bërë ndryshimet e duhura në kodin rrugor dhe penal, si përgjigje ndaj ngjarjes tragjike. Nisma vjen pas aksidentit të ndodhur mesditën e 3 majit në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur.

Ndarja nga jeta e Servet Pëllumbit!

Një ngjarje e trishtuar për politikën shqiptare ishte edhe shuarja nga jeta e ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, në moshën 89-vjeçare, më 5 maj. Një ditë më pas u zhvilluan homazhe në nder të tij, ku figura të larta të politikës, qytetarë dhe artistë përcollën në banesën e fundit socialistin Servet Pëllumbi.

Kuvendi, seancë maratonë!

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh të enjten për të zhvilluar një seancë maratonë. Të gjithë deputetët mbajtën një minutë heshtje në nderim të ish-kryetarit Servet Pëllumbi.

Në nisje të seancës, Taulant Balla kërkoi shtyrjen e diskutimit për çështjen e Kodit Rrugor, për të shqyrtuar dhe për të pasur më shumë kohë. Referuar aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur, socialisti u shpreh se PS-ja ka depozituar disa amendamente për masa parandaluese ndaj të gjithë shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.

Debate dhe tensione shoqëruan seancën plenare të së enjtes, pas interpelancave të kërkuara dhe të pazhvilluara për shkak të mungesës së ministrave dhe kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit mbërriti vetëm në mesnatë për votimin e projektligjeve.

Megjithatë, rreth orës 24:00 të mbrëmjes së të enjtes, socialistët votuan të gjitha pikat e rendit të ditës, duke rrëzuar edhe tre propozime të demokratëve. Në total u miratuan katër projektligje, gjashtë projektvendime dhe një akt normativ. Bëhet fjalë për aktin normativ për uljen e akcizës së naftës kur çmimi i karburantit shkon mbi 220 lekë, i cili u miratua me 85 vota pro. Në të njëjtën seancë, Genta Tafa u zgjodh Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi, me 83 vota pro dhe 25 kundër.

Draftin i PS-së për ndryshimet në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë.

Tashmë PS-ja ka gati draftin për ndryshimet në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë. Ndryshimet, që parashikojnë masa më të ashpra për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor, janë propozuar nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, dhe deputeti i PS-së, Erion Braçe.

Sipas draftit, fokus kryesor kanë shoferët e rinj dhe personat që drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit. Një nga masat më të forta parashikon që shoferëve që kapen përsëritës duke drejtuar mjetin me nivel alkooli mbi 0.5 g/l në gjak, t’u hiqet patenta përgjithmonë.

Raporti i Shqipërisë për vitin 2025 nga Parlamenti Europian!

Një zhvillim tjetër i rëndësishëm gjatë javës ishte edhe raporti i Shqipërisë për vitin 2025. Komiteti për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian ka miratuar me 58 vota pro raportin. Në këtë raport, të përgatitur nga raportuesi për Shqipërinë në PE, Andreas Schieder, vlerësohet progresi i vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Megjithatë, theksohet nevoja për reforma më të thella dhe të qëndrueshme.

Gjithashtu, raporti vlerëson angazhimin e Shqipërisë për integrimin në BE, duke theksuar konsensusin e gjerë ndërmjet partive politike dhe mbështetjen e fuqishme nga qytetarët për këtë proces. Shqipëria ka hapur të gjitha grupkapitujt e negociatave për anëtarësimin brenda 13 muajsh dhe ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për reformën në drejtësi, me vlerësim të veçantë për punën e SPAK-ut. Përmirësimi i sistemit zgjedhor, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, mbetet një tjetër çështje kyçe, sipas raportit. Raporti vlerëson gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për politikën e jashtme të BE-së dhe stabilitetin rajonal, pasi bashkëpunimi me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor shihet si një element kyç i procesit të zgjerimit.

Protesta e opozitës!

Ndërsa java politike në vend u mbyll me protestën e radhës të organizuar nga opozita, ku pati përplasje mes policisë dhe protestuesve. Protesta vjen si rrjedhojë e aksionit opozitar kundër qeverisë Rama./ZËRI

Poll

MOS HUMB