
POGRADEC- Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e Egli Progës nga Denis Meçe, nipi i Valter Gorës, ish-drejtori i Postës Shqiptare. Sipas Top Channel, Egli Proga është dhunuar për vdekje nga Denis Meçe për shkak të gjobvënies. Si fillim, Policia deklaroi zyrtarisht se ngjarja ndodhi për motive të dobëta, por nuk ka qenë kështu. Meçe i ka vënë “gjobë” viktimës duke i kërkuar atij xhiron ditorë të lokalit të tij. Proga ka refuzuar t’i japë para, duke u shprehur se ka për të mbajtur dy fëmijët e tij, por pas kësaj është rrahur nga Denisi, derisa humbi jetën në spital.
Goditja me grusht në anën e majtë të kokës ishte fatale për 42-vjeçarin.
Egli Proga ka qëndruar për 30 minuta i shtrirë në tokë, ndërsa i pranishëm ka qenë një efektiv policie. Kur familjarët kanë tentuar ta çojnë në spital, janë refuzuar, duke thënë se ndihma mund të jepet vetëm me ambulancë. Familjarët nuk kanë marrë ende një certifikatë vdekjeje.
Gjykata la në burg Denis Meçen, 29 vjeç, ndërsa për tre të arrestuarit e tjerë Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç, gjykata caktoi masën “detyrim paraqitje”./ZËRI