
KORÇË- Gjykata e Korçës ka lënë në burg Spartak Çelën, 39 vjeç, i cili u arrestua nga Policia dy ditë më parë pas 4 viteve arrati. Ai akuzohet për “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “Vjedhje me armë”, “Prodhim, shitje dhe mbajtje pa leje e armëve shpërthyese dhe municioneve luftarake”, dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë”.
Spartak Çela u arrestua nga policia e Pogradecit të dielen në zonën e Mokrës. 39-vjeçari ishte në kërkim prej 4 vitesh, pasi në vitin 2020 ka qëlluar me kallashnikov drejt disa personave në një lokal në Velçan të Mokrës dhe tentoi të vrasë shokun e tij, Bledi Shahinin, i cili fatmirësisht si pasojë e plumbave mbeti vetëm i plagosur.
Çela doli sërish në skenë më 26 prill të vitit 2024 kur u zuri pritë dhe kërcënoi punonjësit e Task Forcës në fshatin Buzaishtë të Velçanit, të cilët ishin për verifikim në terren të personave që trajtohen me ndihmë ekonomike./ZËRI