
TIRANË- Gazetari Artan Hoxha thotë se ka njohur personalisht pjesën më të madhe të ‘kokave’ të krimit në vend. I ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion” ai ndau dhe një detaj që ka të bëjë me pirjen e kafes turke.
Artan Hoxha: Në shumë raste më është dashur të negocioj jetën me ata që kisha përballë.
Me bosët e krimit? Ti i ke njohur dhe personalisht një pjesë të tyre…
Artan Hoxha: Jo një pjesë, por pjesën më të madhe. Një pjesë e mirë e atyre që kanë ndërruar jetë. Madje njerëzit që më njohin nga afër e dinë që unë pi vetëm kafe turke. Se s’pi express kurrë, madje dhe në Kolumbi kam pirë kafe turke. Kur më pyesin pse pi, u them “kam qenë në aq shumë vaki sa kjo kafja turke tani…”
Ti shkon dhe i përcjell?
Artan Hoxha: Patjetër!
Hoxha ka treguar më tej dhe si e ka nisur karrierën e tij në gazetarinë e kronikës së zezë. Fillimisht ai ka mbuluar sektorin e sportit, ku tha se në tribunat e stadiumeve ka parë dhe është përballur me personazhe të ndryshme të botës së krimit.
Ju kur e keni nisur gazetarinë?
Artan Hoxha: Dashur pa dashur, unë e përdor si shprehje që jam rritur bashkë me atë që sot në Shqipëri quhet ‘krimi i organizuar’. E kam parë që në fillesë, embrion…
Në cilin vit ke filluar të shkruash?
Artan Hoxha: Që nga viti 1995. E kam nisur fillimisht si gazetar sporti dhe është një pasion.
Prandaj shkon në stadium ti.
Artan Hoxha: Unë ndjek ndeshje, qoftë dhe të kategorive të ulëta. E bëj me shumë qejf.
Si kalove nga sporti te kronika?
Artan Hoxha: Në atë kohë, gazeta më e madhe sportive në vend ishte “Sport express”. Unë kam filluar aty dhe mbuloja Dinamon. Por, ishte në kat të parë te godina që u dogj. Aty shpesh herë rrinim me gazetarët e kronikës. Për shkak se isha kurioz dhe ndiqja ndeshjet e futbollit, më tërhiqte shumë tribuna VIP. Ishte koha kur vinin politikanë, deputetë… Kur klubet po lëviznin, kishte nevojë për para. U futën personazhe që po krijonin botën e krimit. Dolën në tribunën VIP. Mua filloi të më binte në sy kjo gjë. E bisedoja me kolegët dhe ata u bënë pretekst duke më thënë “ore ti që i njeh kaq mirë, pse s’bën një shkrim?” Aty fillova historitë e para. /ZËRI