Aktualitet

Kapja e Klered Bozhanajt, Policia i zgjeron kërkimet në disa qytete, ende asnjë gjurmë

Policia zgjeron kërkimet për Bozhanajn edhe në Durrës, Elbasan dhe Vlorë, ndërkohë që deri tani nuk është arritur në gjurmët e 42-vjeçarit.

Zeri
Kapja e Klered Bozhanajt, Policia i zgjeron kërkimet në disa qytete,
Autori dhe polici i plagosur

TIRANË- Policia e Tiranës ka përditësuar informacionin në lidhje me arratinë e Klered Bozhanajt, i cili pasditen e djeshme plagosi me armë zjarri efektivin e policisë Edlir Alleshi. Policia thotë se po vijon puna intensive për kapjen e 42-vjeçarit, ndërkohë që kontrollet janë shtrirë në disa qytete përveç Tiranës, si Elbasani, Durrësi dhe Vlora.  

Ndërkohë sipas burimeve nga policia për Zëri.ai, Bozhanaj është rreth 180 cm i gjatë, me trup të hollë, ndërkohë që veshur gjatë ditës së djeshme mbante bluza dhe tuta gri. Policia i bën thirrje çdo qytetari që ka dijeni për venndodhjen e Bozhanajt që ta raportojë atë, ndërsa ka vënë në dispozicion edhe 20 mijë euro si shpërblim.  

“Gjatë natës së mbrëmshme dhe ditës së sotme, ka vijuar kërkimi intensiv për kapjen e autorit të ngjarjes së ndodhur në rrugën "Hysen Xhura", shtetasit Klered Bozhanaj, 42 vjeç, i cili tentoi të vriste me armë zjarri punonjësin e Policisë.

Shërbimet e Policisë kanë kontrolluar dhjetëra banesa në qytetet Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Vlorë dhe do të vijojnë kontrollet intesive, deri në kapjen e tij.  

DVP Tiranë falënderon qytetarët, për informacionet e dhëna deri tani, të cilat janë duke u verifikuar nga Policia. Policia kërkon vijimin e bashkëpunimit, duke ftuar qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm, që do të çojë në kapjen e tij.  

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.

Dinamika e ngjarjes- Në orën 19.00 të pasdites së të mërkurës, efektivët e forcave "Shqiponja" ishin në ndjekje të një personi të armatosur. 42-vjeçari, i identifikuar si Klered Bozhanaj po ndiqej me motor nga efektivët e Policisë së Shtetit. Në një moment, ai ishte drejtuar për në banesën e tij, e cila ndodhej pranë vendit të ngjarjes në zonën e Porcelanit, por u ndalua nga efektivi. Pikërisht në atë moment, 42-vjeçari ka nxjerrë armën e zjarrit që kishte me vete dhe ka qëlluar mbi efektivin, më pas është larguar në drejtim të paditur.

Burime për "Zëri.ai" bënë me dije se 42-vjeçari nuk jetonte në Shqipëri, por prej kohësh ishte emigrant në Itali. Në vendin tonë ishte kthyer vetëm në muajin gusht, për arsye që ende nuk dihen. Po ashtu, nga të dhënat e deritanishme, autori i plagosjes, nuk ka precendentë të mëparshëm penalë në vendin tonë, por e shkuara e tij në Itali mbetet e panjohur./ZËRI.AI

Poll

MOS HUMB