Aktualitet

Plagosi efektivin e ‘Shqiponjave’, Policia e identifikon: Mos iu afroni! Ka armë

Në orën 19.00 të pasdites, efektivët e forcave "Shqiponja" ishin në ndjekje të një personi të armatosur. 42-vjeçari, i identifikuar si Klered Bozhanaj plagosi efektivin, Edlir Alleshi.

k.m.
Plagosi efektivin e ‘Shqiponjave’, Policia e identifikon: Mos iu
Edlir Alleshi dhe Klered Bozhanaj

TIRANË- Aksioni i një efektivi të forcave "Shqiponja" për pak sa i ka kushtuar jetën. Gjatë ndjekjes së një personi të armatosur, pasditen e sotme, Edlir Alleshi ka marrë disa plumba në bark dhe në këmbë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. "Zëri.ai" ka mësuar dinamikën e plotë të ngjarjes.

Në orën 19.00 të pasdites, efektivët e forcave "Shqiponja" ishin në ndjekje të një personi të armatosur. 42-vjeçari, i identifikuar si Klered Bozhanaj po ndiqej me motor nga efektivët e Policisë së Shtetit. Në një moment, ai ishte drejtuar për në banesën e tij, e cila ndodhej pranë vendit të ngjarjes, por u ndalua nga efektivi. Pikërisht në atë moment, 42-vjeçari ka nxjerrë armën e zjarrit që kishte me vete dhe ka qëlluar mbi efektivin, më pas ka hipur sërish në makinën e tij dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Të njëjtat burime të "Zëri.ai" kanë bërë me dije se 42-vjeçari nuk jetonte në Shqipëri, por prej kohësh ishte emigrant në Itali. Në vendin tonë ishte kthyer vetëm në muajin gusht, për arsye që ende nuk dihen. Po ashtu, nga të dhënat e deritanishme, autori i plagosjes, nuk ka precendentë të mëparshëm penalë në vendin tonë. Megjithatë puna për kapjen e tij ka nisur. Policia e Shtetit, ndryshe nga praktika e rasteve të ngjashme, ka nxjerrë vetë foton e autorit dhe ka vendosur një shpërblim prej 20 mijë eurosh për çdo qytetar që jep informacion të vlefshëm për kapjen e të shpallurit në kërkim. Kreu i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka dalë gjithashtu në një konferencë për mediat duke u bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj të shpallurit në kërkim, pasi sipas tij është i rrezikshëm për të gjithë ata që mund t'i afrohen.

"Ai ka një dëmtim me armë zjarri. Shërbimet e policisë të drejtorisë së Tiranës, forcat speciale Renea dhe të gjithë forcat e policisë së republikës janë mobilizuar për kapjen e autorit, i cili quhet Klerent Bozhanaj 42 vjeç. Theksojmë se është i armatosur dhe ka shenja të theksuara të depresionit. Policia ve në dispozicion 20 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm që mund të çojë në kapjen e autorit,"-u shpreh Vocaj para kamerave të mediave. Ndërkohë që efektivi i Policisë ndodhet ende në spitalin e Traumës, ku iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale, ku edhe u vizitua nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj.

Sipas tyre, në ndjekje të personit të armatosur janë venë shërbimet e tjera të Forcave “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, dhe Njësitë Speciale Operacionale, janë bllokuar hyrje-daljet e të gjitha rrugëve, dhe vijon kontrolli për kapjen e personit të armatosur. Gjithashtu, po kqyren kamerat e zonës për të zbuluar më shumë mbi lëvizjet e autorit të plagosjes./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB