TIRANË- Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, raportohet se ka qenë objekt i disa kërcënimeve për shkak të detyrës. Në kushte të tilla, Komisioni i mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor është mbledhur me urgjencë dhe ka vendosur masa shtesë sigurie për të.
Komisioni, që përfshin anëtarë të gardës së republikës, policinë dhe përfaqësues të ministrive të Brendshme dhe të Drejtësisë, ka shtuar masat e mbrojtjes ndaj gjyqtares. Shkaqet e kërcënimeve nuk janë bërë të ditura, ndërsa Gjykata e Posaçme nuk ka dhënë ende komunikatë zyrtare.
Gjyqtarja Gjoka ka trajtuar një sërë çështjesh të rëndësishme. Gjithashtu, ajo ka qenë gjyqtarja që caktoi masat e sigurimit për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, lidhur me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.