
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg, për ish-shefin e “Operacionales”, Oltion Bistri. Ky i fundit kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë, ndërsa ra në pranga në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’, ndërkohë që me urdhër të SPAK i janë sekuestuar edhe disa pasuri me vlerë rreth 1 milionë euro.
“Vendosi miratimin e vendimit nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa ka disponuar për vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përkundrejt të hetuarit ankues Oltion Bistri”, njofton Apeli i Gjykatës së Posaçme.
Ish- drejtori i Forcave Operacionale, është arrestuar për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Si një ish zyrtar policie që ka mbajtur detyra të rëndësishme nga drejtor qarku deri tek njësia që arreston të kërkuarit, Bistri doli në skenë mbas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin SKY, ku u shfaqën së bashku grupe kriminale, prokurorë e policë.
Në fashikullin e Metamorfozës, Oltion Bistri në një rast informon Pëllumb Gjokën, edhe ai i arrestuar, për një aksion kundër lojërave të fatit që pritej të niste. Arrestimi i tij u bë në Korrik të vitit të kaluar.
Gjatë operacionit që çoi në arrestimin e Bistrit, në pranga përfundoi dhe drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit Xhevair Lita, ish punonjës policie, emra të njohur të botës së krimit si dhe biznesmeni Pëllumb Gjoka. Ky i fundit dyshohet të jetë përfshirë në një vrasje.
Emri i biznesmenit Gjoka, është lakuar shpesh në mjediset politike, pasi opozita e ka akuzuar atë si një person të përfshirë në blerje votash në favor të partisë socialiste. I angazhuar më parë në lojërat e fatit, në korrik të vitit 2021 kompanisë së tij Imperial Group, iu dha statusi i investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti turistik në Velipojë, me një vlerë prej 52 milion eurosh. Investim i cili nuk rezulton të ketë nisur ende.
/ZËRI