
FIER- Punonjësit e kompanisë Bankers Petroleum protestuan mesditën e sotme para zyrave të kompanisë në Marinzë, në një tubim të organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur. Protestuesit me pankarta në duar janë mbledhur gjatë orarit të pushimit para zyrave të kompanisë në Marinzë.
Kreu i Sindikatës, Dritan Shahu gjatë fjalimit të tij bëri thirrje shoqërisë Bankers dhe drejtuesit të saj Hong Ping, që të ndalojnë së injoruari zërin e punonjësve dhe të respektohen kërkesat e tyre.
Disa nga kërkesat kryesore janë:
- Ndalimin e intimidimit dhe presionit psikologjik ndaj punonjësve,
- Ndalimin e diskriminimit dhe pabarazisë në trajtim dhe përfitime,
- Ndalimin e nepotizmit dhe emërimeve klienteliste,
- Aplikimin e statusit të naftëtarit,
- Të dietës ushqimore, etj.
“Ne nuk kërkojmë lëmoshë por drejtësi sociale, pasi në kaq vite jemi grabitur”, tha sekretari i Sindikatës të sektorit hidrokarbur, dega Fier, Dritan Rrapushi.
“Punojmë prej vitesh në këtë kompani dhe vetëm nëpërkëmbemi”, u shprehën punëtorët.
Organizatorët u shprehën se nëse zëri i tyre nuk dëgjohet, protesta e sotme është fillimi i një rruge të re drejt tubimeve që do të përshkallëzohen, deri sa të plotësohen kërkesat e tyre kryesore./ZËRI