
TIRANË – Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), ka njoftuar këtë të premte se nuk ka pranuar ankimimin e prokurores së Dibrës, Belina Zeneli, e cila është shkarkuar nga detyra nga ana e KLP-së. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, më datë 31 janar 2022 e shkarkoi Zenelin për mospërmbushje të pajustifikuar dhe të përsëritur të funksioneve gjatë hetimit.
Vendimi është marrë në mënyrë unanime nga trupa e Kolegjit, me kryetar Sokol Çomo dhe anëtarë Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz. “Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryetar, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JD) nr. 2/2022, datë 20.06.2022, që i përket ankueses Belina Zeneli (Kryemadhi) kundër vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nr. 20, datë 31.01.2022, me subjekte të interesuara, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Në përfundim të gjykimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i” e Kushtetutës, si dhe neneve 71 dhe 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në mënyrë unanime, vendosi:
Mospranimin e ankimit të magjistrates Belina Zeneli (Kryemadhi), kundër vendimit nr. 20, datë 31.01.2022, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, “Për caktimin e masës disiplinore ndaj magjistrates Belina Zeneli (Kryemadhi), prokurore në Prokurorinë e Shkallës së Parë Dibër”,- thuhet në njoftimin e KPA.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit sqaron se mospranimi i ankimit të Zenelit është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi menjëherë. ILD u shpreh se veprimet e magjistrates kishin sjellë pasoja në dhënien e drejtësisë, si dhe kanë cënuar imazhin e organit të akuzës./Zëri.ai/