
TIRANË- Përfaqësuesi i Nismës 'Thurje', Endrit Shabani ka përfunduar sot dëshminë e tij para Komisionit Hetimor për Koncesionet e Check-Up dhe Sterilizimin. Në dëshminë e tij para deputetëve, Shabani në emër të Nisma "Thurje", e cila ka qenë e para që ka depozituar dosjet në SPAK për t'u hetuar tregoi sesi kishin përpiluar dosjen dhe ku ishin pikat që i kishin bërë të dyshonin se kishin të bënin me një abuzim. Në fjalën e tij, Shabani u shpreh se SPAK i vërtetoi akuzat e tyre se përmes kësaj skeme u vodhën paratë e publikut për interesa private. Por jo vetëm kaq! Sipas tij, ka mjekë që dëshmojnë se për shkak se në rast shtimi të numrit të operacioneve, për çdo kërkesë jashtë programit, koncensionari kishte të drejtë të gjobiste shtetin me 40 euro. Ndaj, po sipas tij, kjo pikë duhet hetuar edhe më tej, pasi nëse ka ndodhur vërtetë, atëherë dëmi ekonomik nuk është i vetmi që është shkaktuar ndaj qytetarëve shqiptarë. Në këtë rast ngrihen dyshime për neglizhencë dhe mosdhënie të trajtimit të pacientëve që kanë pasur nevojë për operacion dhe nuk i janë nënshtruar ndërhyrjeve për shkak se numri i mjeteve të përdorura mund të ishte ezauruar. Megjithatë, për këtë pikë, Shabani kërkoi më shumë hetime.
"Në interpretimin tonë ka pasur dy probleme që në nisje të kontratës. E para është lejuar, duhet të ishte sqaruar kush paguan faturën e ujit dhe të dritave, i janë faturuar buxhetit publik. Në rast se shteti kërkon që të bëjë më shumë punë, i faturohet një gjobë prej 40 euro/set. Nuk ka pasur një tavan maksimal që duhet të ishte vendosur për këto investime. Kemi pasur mjek që janë raportuar edhe në media se ka pasur një operacion për të mos rritur numrin e operacioneve. Këtu dëmi është përtej dëmit ekonomik. Nëse kjo gjë ka ndodhur, besoj se dëmi ekonomik është më e pakta që ka ndodhur,"-tha Shabani teksa i përgjigjej pyetjeve të deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa.
Ndër të tjera, Endri Shabani u shpreh se koncesioni i Sterilizimit ka treguar dështim të sistemit shëndetësor dhe se vende perëndimore nuk e kanë aplikuar dhënien me koncesion pasi me kosto të tilla, kërkonte një buxhet që e përballonte edhe vetë buxheti i shtetit. Por kjo deklaratë e tij shkaktoi përplasje mes dëshmitarit dhe deputetëve duke sjellë ndërprerjen e mbledhjes.
PJESË NGA DEBATI:
Deputeti Ilir Metaj: Eshtë gënjeshtër!
Endri Shabani: Unë nuk e vazhdoj dëshminë pa më kërkuar ndjesë deputeti, paguhet me taksat e mia, nuk jam këtu para avokatëve të Ilir Beqajt.
Plarent Ndreca: Në tavolinën që je ti aty, nuk mund ti imponohesh askujt.
Albana Vokshi: Po Ushtron presion shantazhon dëshmitarin.
Endri Shabani: Është vepër penale të shantazhosh dëshmitarin, ndaj nuk e vazhdoj dëshminë pa më dhënë ndjesë
PJESË NGA MARRJA NË PYETJE:
Zheni Gjergji: Ju e keni bërë denoncimin në çfarë date?
Endri Shabani: 23 dhjetor 2012, dita e dytë e punës së SPAK
Zheni Gjergji: A patët një konsultim me mjekë dhe specialistë për koncensionin e sterilizimit?
Endri Shabani: Po, juristë, mjekë, një prej tyre ishte mjeku Artan Koni. Ka pasur edhe mjekë të tjerë nuk e kanë nxjerrë emrin, por na kanë ndihmuar me informacionin e tyre.
Zheni Gjergji: A keni pasur në fokus analizimin e koncensionit të Sterilizimit, apo jeni mjaftuar me padinë?
Endri Shabani: Për të thënë të drejtën, shëndetësia nuk është fokusi kryesor i Nismës Thurje. Kemi çuar dhe 5 padi të tjera në SPAK.
Plarent Ndreca: A keni dijeni se në koncensione respektohet ligji për prokurimin publik?
Endri Shabani: Po i referohem padisë, shqetësimi ynë ka qenë politik sepse kishte të bënte me afatin e kësaj kontrate, që ishte përtej afatit të qeverisë. Shumë shërbime të tjera spitalore konkurohen çdo vit. ky prokurim duhet të ishte bërë në bazë të një studimi vizibliteti. Duhet të kishte konkurim me oferta të hapura, çka besoj se mund të një nga arsyet se përse ish-ministri akuzohet për shkelje të barazisë në tendera.
Plarent Ndreca: Thatë që jeni konsultuar edhe me mjekë të tjerë, a mund të na i tregoni emrat e tyre?
Endri Shabani: Jo, sepse nuk i kam dhe kam preferuar që të mos i kem sepse kam preferuar që të mos i ekspozoj. Presioni ka qenë i vazhdueshëm që ata mund të humbasin edhe vendin e punës nëse do të përballeshin me ministrin e asokohe.
Plarent Ndreca: Dini se kush e ka këtë informacion që t'i thërrasim këta mjekë?
Endri Shabani: Ju do të keni mjekun Artan Koni që ka guximin për të dëshmuar, besoj se kjo do të mjaftonte.
Milva Ekonomi: Para se të bënit kallëzim në SPAK, a keni kërkuar informacione nga MSH, APP, FSDKSH, Komisioni i Prokurorimit Publik, KLSH, Ministria e Financave, ISHP, ATRACO, a mund të na bëni me dije çfarë përgjigje keni marrë?
Endri Shabani: Ne nuk jemi prokuroria e Tiranës dhe as SPAK. Padyshim kemi administruar të gjithë informacionin që kemi mundur atë kohë. Kemi kërkuar që të dimë sesa njerëz kanë vdekur për shkak të mungesës së sterilizimit.
Endri Shabani: Ne nuk kemi pasur as bashkëpunimin e ministrisë, as kapacitetin ligjor për të administruar dosjen. Gjë të cilën e ka bërë SPAK, sot jemi para faktit se këto dyshime që kemi ngritur në fakt janë të bazuara.
Ekonomi: A keni bërë shkresë tek Ministria?
Endri Shabani: Në padinë citohet KLSH. Kontrolli ka ndodhur para, kallëzimi ka ndodhur pas.
Ekonomi: Përse nuk e keni bërë kallëzimin në emër të titullarit të ministrisë, por i jeni referuar me një emër të përgjithshëm "zyrtarët e përfshirë"?
Endri Shabani: Shqetësimi është i drejtë. A ka qenë bashkëpunuese Ministria për të informuar publikun? Po ju drejtohem si qytetar, a e keni ju studimin e fiziblitetit?
Albana Vokshi: Përgjigjia është jo, as ne nuk e kemi.
Plarent Ndreca: E kuptoj dhe pozicionin tuaj politik, por nuk mund të na drejtoheni me pyetje. Të lutem, e respektoj pozicionin politik që keni, por nuk jemi për të bërë politikë.
Endri Shabani: Ne kemi pasur kufizim informacioni në atë kohë, nuk e dinim se deri ku përfshirja e secilit nga personat përgjegjës. Nuk kemi dashur as ta zëvendësojmë, as ta duplikojmë rolin e SPAK. Ne paguajmë taksa që prokurorët të bëjnë këtë punë. Ne besonim se përgjegjësia fillonte nga lart-poshtë, por nuk dinim rolin e tyre.
Ekonomi: A e dini objektin e furnizimit të kësaj kontrate?
Endri Shabani: Ndoshta nuk e sqarova mirë. Ne kishim informacion se çfarë nuk dinim. Ne nuk dinim studimin e fiziblitetit. Nuk dinim provat ku bazoheshin. Jam i pari që po dëshmoj këtu, njëri është ekonomist, tjetri është mjek, mund t'ju japin më shumë informacion lidhur me pyetjet tuaja.
Milva Ekonomi: A e keni idenë sesa janë infeksionet spitalore dhe sa janë ulur ato?
Endri Shabani: Infeksionet spitalore janë pasojë e një sërë faktorësh, por këtë informacion nuk e kam sepse e përsëris nuk e kam studimin e fiziblitetit. Këtë informacion nuk e kam.
Ina Zhupa: Ju referoheni në padinë tuaj se ka një planifikim jo të mirë për kostot që ka koncensionari? E keni parë si një shkak të kontratës?
Endri Shabani: Në interpretimin tonë ka pasur dy probleme që në nisje të kontratës. E para është lejuar, duhet të ishte sqaruar kush paguan faturën e ujit dhe të dritave, i janë faturuar buxhetit publik. Në rast se shteti kërkon që të bëjë më shumë punë, i faturohet një gjobë prej 40 euro/set. Nuk ka pasur një tavan maksimal që duhet të ishte vendosur për këto investime. Kemi pasur mjek që janë raportuar edhe në media se ka pasur një operacion për të mos rritur numrin e operacioneve. Këtu dëmi është përtej dëmit ekonomik. Nëse kjo gjë ka ndodhur, besoj se dëmi ekonomik është më e pakta që ka ndodhur.
Ina Zhupa: Ju përmendët në fillim të deklaratës tuaj që vutë re se ata që e morën koncesionin nuk ishin në treg me këto shërbime...Me informacionet tuaja dhe atë që keni vendosur edhe në padi, a justifikohet dhënia me koncension tek këta koncensionarë?
Endri Shabani: Ajo që ne kemi shkruar edhe në padi. Pse kompani si "SaniService" rezultonte me detyrim prej 35 mln lekësh, INVEST LC, është regjistruar një muaj para koncensionet dhe figuronte me kapital 1 mijë euro. Këtu ngrihen dyshime të arsyeshme. Pse duheshin këto kompani për të bërë një investim kaq të madh? Argumenti publik është se privati është i specializuar, por në fakt privati është rrobaqepës.
Hetimi parlamentar në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë për Sterilizimin dhe Check-up ende vazhdon, edhe pse Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe 8 të tjerë. Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj akuzohet për veprën penale shpërdorim detyre. Në bankën e të akuzuarve, Beqaj do të jetë së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministri, Klodian Rrjepaj si edhe biznesmenin Ilir Rrapaj që mori koncesionin e sterilizimit, të dy në burg që prej gushtit të kaluar, aty ku u janë komunikuar edhe akuzat.
Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj akuzohen për 'mashtrim'. Ndërkohë mbi zëvëndës ministrin Rrjepaj rëndon edhe akuza e falsifikimit të dokumentave dhe shpërdorim detyre. SPAK ka dërguar për gjykim edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit. Saimir Kadiu drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike të cilët janë në arrest shtëpie, dhe mjeku Arben Gjata, Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petro Mersini që deri më tani kanë pasur masën 'detyrim me paraqitje'. Ish-zyrtarët akuzohen për 'falsifikim dokumenti' dhe 'shpërdorim detyre'. Hetimet për koncesionin e sterilizimit janë kryer nga prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, ndërsa SPAK akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj./ZËRI