
SHKUP- Dje në Maqedoninë e Veriut është shënuar historia! Për herë të parë në historinë e vendit është zgjedhur një kryeministër shqiptar, i cili do të drejtojë vendin dhe qeverinë teknike për 100 ditë. Talat Xhaferi u votua me 65 vota pro dhe asnjë kundër si kryeministri i qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut. Pas votimit, të gjithë përfaqësuesit e "Bashkimi Demokratik për Integrim", bashkë me gazetarë nga Shqipëria, festuan së bashku dhe zhvilluan disa intervista.
Një prej tyre ishte mes moderatorit Blendi Fevziu dhe kreut të BDI-së, Ali Ahmetit. Teksa bisedonin, në një moment Fevziu i kërkon Ahmetit kravatën e tij për arkivën e emisionit "Opinion", pasi në të ishte gdhendur: Kryeministri shqiptar 28 janar 2024.
Përveç shkrimit një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendjen ishte dhe firma që ka prodhuar kravatën, “Maruška”.
Detaj ky që ka shkaktuar shumë reagime në rrjet, pasi bëhet fjalë për një markë serbe, e cila prodhon aksesorë.
Megjithatë vetë Ahmeti deri më tani nuk i është adresuar kritikëve, por ka zgjedhur që të heshtë. Ndoshta, për të nuk ka pasur rëndësi marka, por vetëm ajo që shkruhej mbi kravatë./ZËRI