Aktualitet

‘Kukullat’ e mikrokredive dhe përmbaruesit fantazmë të pasurive të shqiptarëve, ZËRI zbulon mashtrimin e Final, MCA e ZIG

Nëse keni marrë një kredi në një prej institucioneve mikrofinanciare që operojnë në Shqipëri, atëherë me shumë mundësi jeni gjendur përpara një telefonate që ju njofton se duhet ta shlyeni me patjetër të gjithë shumën. Argumentet që jepen janë tre: do t’ju bllokohet paga, shuma është katërfishuar apo institucioni ku ju keni marrë kredinë do të mbyllet.

Florida Mingla
‘Kukullat’ e mikrokredive dhe përmbaruesit fantazmë
Banka e Shqipërisë, institucionet mikrofinanciare dhe gazetarja Florida Mingla

TIRANË- “Consulting Company”, “Final”, “Micro Credit Albania”, “ADCA”, “ZIG”, “FLASH” e “FS” janë disa prej kompanive që operojnë në Tiranë si fantazëm duke mos pasur një zyrë fizike ku qytetarët të shkojnë dhe të konsultohen apo ankohen pranë tyre. Këto zyra që është ende e paqartë nëse janë institucione mikrofinanciare apo studio përmbarimore janë ato që ju bien në telefona mijëra shqiptarëve për ti kërkuar paratë e palara nga borxhet në institucionet e mikrokredive.
Historia ka nisur që në vitin 2008 nga Final Shpk dhe sot, kur kanë kaluar 16 vite, dhjetëra mijëra qytetarë sorollaten nga telefonata të ndryshme, por nuk gjejnë në derë ku të përplasen.

Ajo që ndodh është shumë e thjeshtë për tu shpjeguar, por jo për t’i dhënë zgjidhje.

Nëse keni marrë një kredi në një prej institucioneve mikrofinanciare që operojnë në Shqipëri, atëherë me shumë mundësi jeni gjendur përpara një telefonate që ju njofton se duhet ta shlyeni me patjetër të gjithë shumën. Argumentet që jepen janë tre: do t’ju bllokohet paga, shuma është katërfishuar apo institucioni ku ju keni marrë kredinë do të mbyllet.
Këto kompani blejnë edhe borxhet apo kreditë e këqija nga bankat e nivelit të dytë që mund të jenë marrë nga qytetarë të ndryshëm shumë vite më parë dhe sërish, përmes një telefonate u kërkojnë që të rimarrin kredi për të shlyer borxhin e mbetur.

Interesat që aplikohen të kujtojnë ‘fajdet’ e grupeve kriminale, vetëm se këtë herë mbajnë firmë dhe vulë.
Megjithatë, shumë familje janë detyruar të marrin kredi të reja për të shpëtuar nga borxhet e vjetra dhe mes kërcënimit e frikës se mund tu bllokohet paga.

ZËRI ka shkuar në të gjitha adresat zyrtare të këtyre institucioneve, ku siç edhe do shihni, këto zyra nuk ekzistojnë.

E para, është adresa zyrtare e Final në Open Corporates është në Njësinë Bashkiake nr.2, Rruga Papa Gjon Pali II, Pallati 11/1, shkalla 1, Apartamenti 16, kati 5. ZËRI zhvilloi një vizitë pranë kësaj adrese, por aty nuk gjeti asnjë zyrë të Final.

Micro Credit Albania është gjithashtu një prej kompanive që telefonon qytetarët. Po ky institucion që i është pezulluar edhe licensa nga Banka e Shqipërisë a ka një zyrë ku i pret këta persona që telefonon dhe u kërkon borxhet?
Njesia Bashkiake Nr.9, Rruga Reshit Petrela, Tiranë, kjo është adresa e radhës ku shkoi ZËRI.
Në këtë adresë nuk ekziston dhe as banorët s’e kanë idenë ku ndodhet.

Faqja zyrtare e ADCA, Albanian Debt Collection Agency është ende në ndërtim e sipër, por adresën zyrtare e ka të shënuar. ZËRI shkoi edhe në zonën e Njësisë Bashkiake nr.9, Bulevardi "Zogu i Parë". Rruga Maliq Muço, Nr.1 Qendra e Biznesit "STAR", por nuk gjeti asnjë filial të kësaj kompanie. ZIG, FLASH dhe FS pretendojnë se gjenden në të njëjtën godinë, në qendrën e Biznesit STAR, por ky është një tjetër mashtrim!

Por çfarë masash janë marrë?

Banka e Shqipërisë ka vendosur të zgjasë edhe me 6 muaj të tjera pezullimin për subjektin financiar jobankë “Micro Credit Albania”, një vit pasi mori vendimin t’i pezullonte aktivitetin e kredidhënies. Kjo nënkupton se deri më 30 qershor 2024, “Micro Credit Albania” nuk do të mund ta ushtrojë aktivitetin e saj për të dhënë kredi, por dhe faktin që pavarësisht shkeljeve të gjetura dhe që sollën marrjen e këtij vendimi, Banka e Shqipërisë nuk është bindur ende që t’ia heqë përfundimisht licensën këti institucioni financiar.

Madje, pas një ekzaminimi tjetër të plotë të këtij subjekti, me qëllim vlerësimin e situatës pas masës së pezullimit 1-vjeçar të aktivitetit, Departamenti i Mbikëqyrjes pranë Bankës së Shqipërisë ka dalë në përfundimin se subjekti nuk ka blerë apo nuk ka aprovuar kredi të reja, por është angazhuar në rikuperimin e portofolit ekzistues.
Mashtrimi dhe vjedhja nuk është një gjë e re, nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por kur kjo gjë kthehet në një fenomen që ushtrohet me vulë dhe përmes firmave ligjore, institucioneve u takon të veprojnë dhe reagojnë. Por kush qëndron pas këtyre institucioneve?

ZËRI ka kërkuar informacion nga të gjitha këto kompani, të cilat refuzojnë të deklarojnë për ne, adresën zyrtare të tyre. Nëse aktiviteti i tyre është në përputhje me ligjin, atëherë pse fshihen? Çfarë i detyron të mos përballen me qytetarët. Po në rast se një qytetar kërkon sqarim fizikisht dhe ankohet, çfarë ndodh me të? Ndërkohë që institucionet heshtin, Banka e Shqipërisë hesht dhe të gjithë jemi nën panikun e “kukullave” që trembin qytetarë dhe përveç borxheve edhe i mashtrojnë ata. /ZËRI

 

Poll

MOS HUMB